Për të tetin vit, është zhvilluar në Tiranë, "Parada e krenarisë", ku përfaqësues të komunitetit LGBT kanë marshuar drejtë kryeqytetit për të drejtat e tyre.

Aleanca LGBT dhe Pro LGBT, komuniteti i Lesbikeve, Gay, Biseksualëve dhe Transeksualëve kanë marshuar sot në Tiranë, kundër diskriminimit dhe paragjykimeve me të cilat përballen çdo ditë. Marshimi ka nisur rreth orës 12:30 në “Parkun Rinia”, dhe vijoi drejtë zonës së ish-Bllokut, për tu kthyer tek presidenca, e për të ecur më pas drejtë  bulevardit që të çon tek kryeministria. Në marshim nuk kanë munguar thirrjet e tyre si “Shteti hesht, ne guxojmë”, apo “Jemi lezbike, jemi krenare”.

Gjatë marshimit ata janë ndalur edhe tek kryeministria ku i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama për mbështetje.

Në fjalën e mbajtur përpara godinës së kryeministrisë, aktivistja e njohur e komunitetit LGBT Xheni Karaj, i ka kujtuar kryeministrit rastet e shumta diskriminuese ndaj këtij komuniteti. Karaj ka kërkuar nga Rama që ti bashkohet kësaj parade, pasi anëtarët e këtij komuniteti janë votues dhe taksapagues të rregullt të shtetit.

 “Unë i bëj thirrje sot kryeministrit. Kjo është parada e 8 që ne zhvillojmë, dhe në asnjë paradë nuk keni pasur guximin të dilni dhe të ecni pranë LGBT, të cilët janë qytetarët tuaj, taksapaguesit tuaj, dhe janë pjesë e kësaj shoqërie", tha Xheni Karaj.

Mesazhi i tyre është i qartë, kërkojnë hapësira për të jetuar të lirë me zgjedhjet e tyre. Ndërsa  nuk kanë munguar as mesazhet inkurajuese ndaj atyre që ende jetojnë të mbyllur, të dhunuar, apo të paragjykuar, nga shoqëria.

“Në radhë të parë nëse doni të dilni nga guaska dhe të jetoni jetën që jepet vetëm njëherë, doni ta shijoni të plotë, filloni doni veten. Dashuria për veten ndihmon të dilni nga guaska. “ Edhe kur të jeni të rrëzuar, edhe kur të jeni të vrarë, buzëqeshni.”, shprehen mbështetës së komunitetit.

 “Jam këtu për t’i dhënë mbështetje LGBT. Kam ardhur nga Sarajeva enkas për ta.”

“Mesazhi është që të jesh vetvetja, pavarësisht se kostot mund të jenë kosto super të larta”.

Kjo është parada e 8 e zhvilluar në Tiranë në ditën kombëtare të LGBT. Në këtë paradë morën pjesë aktivistë LGBTI nga i gjithë rajoni, mbështetës, aktivistë dhe pjesëtarë të komunitetit LGBTI nga Shqipëria, por edhe qytetarë të thjeshtë. Protesta i tyre është garantuar edhe nga uniformat blu, të cilat i kanë shoqëruar përgjatë gjithë marshimit, duke mundësuar lirimin e rrugëve nga qarkullimi i automjeteve.

Ata kanë parakaluar te bulevardi “Dëshmorët e Kombit” për të pedaluar dhe apeluar në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë.