Pagimi me para në dorë, vijon të mbetet zgjidhja e preferuar e shqiptarëve. Përpos masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, dhe bankave të nivelit të dytë, paraja që qarkullon cash është në rekorde historike. Në fund të vitit 2020, jashtë sistemit bankar ishin më shumë se 2.8 miliardë euro.Sfida ndaj fenomenit të përdorimit të parasë fizike për të paguar shërbime apo blerë produkte të ndryshme, kërkon të ndërmerren edhe masa të tjera shtesë. Jashtë bankave në vitin 2020 kanë qarkulluar 2.8 miliardë euro, me një rritje prej rreth 433 milionë euro krahasuar me 2019. Teksa e konsideron sfidë të fortë për formalizimin e ekonomisë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko njofton se do të ngrihet një platformë kombëtare për sistemin bankar, me fokus avancimin e pagesave pa para në dorë.

“Ne kemi në plan për të bërë disa zhvillime për mobilizimin e sistemit të pagesave, siç do të jetë një platformë unifikuese kombëtare për të gjithë sistemin bankar, për kryerjen e të gjitha pagesave elektronike dhe atyre me kartë. Ky është një zhvillim serioz i cili do të kërkojë kohën e tij, por ne kemi filluar të mendojmë dhe po punojmë për këtë zhvillim”, sqaroi Gent Sejko.

Për të rritur përdorimin e teknologjinë Banka e Shqipërisë hartoi projektligjin e shërbimit të pagesave, gjatë pandemisë hoqi komisionet për transfertat, ndërsa bankat u përfshinë nga një fushatë e gjerë për fuqizimin e përdorimit të kartave të kredit, por Sejko ngre një tjetër shqetësim.

“Duhet një edukim i mirë financiar dhe një rritje e përfshirjes financiare të popullatës në mënyrë që paraja të depozitohet në banka, sepse jo vetëm që është më e sigurt, por shërben më mirë dhe ka edhe produkte dhe oferta më të mira bankare, që shkojnë edhe në drejtim të zbutjes së pabarazisë dhe shumë avantazhe të tjera”, pohoi në konferencën e 3 shkurtit guvernatori Sejko.

Përdorimi i parasë cash në vitin e shkuar ka arritur në nivele rekord, që prej vitit 2002, kur janë të dhënat e para të bankës së Shqipërisë për këtë fenomen. Ekspertët përdorimi i parasë jashtë sistemit bankar është tregues i informalitetit të lartë në një ekonomi.

PËRDORIMI I CASH NË EKONOMI

Viti 2020                    2,8 mld euro

Viti 2019                    2,3 mld euro

Diferenca               +432.9 mln euro