Kreu i Demokratëve Euroatlantik Lulzim Basha ka risjellë programin e Demokratëve Euroatlantikë për sistemin shëndetësor në Shqipëri, duke theksuar se “paraja ndjek pacientin”.
Sipas Bashës, Shqipëria meriton një sistem shëndetësor ku çdo qytetar trajtohet sipas nevojës dhe jo sipas mundësive financiare.
‘Prej 12 vjetësh, Edi Rama i ka mashtruar shqiptarët me parullën e “shëndetësisë falas”, një premtim që jo vetëm nuk u mbajt, por u shndërrua në një piramidë aferash korruptive. Sot, qytetarët paguajnë 60% të shpenzimeve nga xhepat e tyre, teksa shëndetësia vuan nga keqfinancimi, korrupsioni endemik, koncesionet klienteliste, keqmenaxhimi dhe largimi masiv i personelit shëndetësor. Ky dështim kolosal i qeverisë dëshmon qartë se asgjë nuk e lidh Edi Ramën me mirëqenien dhe dinjitetin e familjeve shqiptare. Kjo situatë kërkon një ndryshim rrënjësor për të garantuar shëndetin e çdo shqiptari, i cili mund të vijë me votën tuaj më 11 maj’, tha ai.
Basha ka treguar dhe se çfarë mundëson programi i Demokratëve Euroatlantikë.
‘Programi i Demokratëve Euroatlantikë mundëson një sistem shëndetësor që i përgjigjet nevojave të qytetarëve, jo fuqisë së portofolit të tyre. Me mbështetjen tuaj, ne zbatojmë parimin “paraja ndjek pacientin”, duke i dhënë çdo shqiptari kartën e sigurimit shëndetësor, me të cilën mund të zgjedhë ku dhe si të trajtohet (publik apo privat) pa pagesa shtesë, forcojmë skemën e sigurimeve shëndetësore, kalojmë nga pagues i vetëm në disa pagues. Rrisim buxhetin për shëndetësinë, ku 50% më shumë shkojnë në rimbursim dhe motivimin e personelit mjekësor. Anulojmë PPP-të e panevojshme, që zhvasin milionat e taksapaguesve, krijojmë Agjencinë Kombëtare të Llogarive Shëndetësore për kontroll shpenzimesh në sektorin publik dhe privat. Investojmë në teknologjinë digjitale, si kartelën elektronike, e cila i mundëson pacientit trajtim kudo dëshiron, duke pasur historikun mjekësor më vete’, tha ai.