Pas "dushit të ftohtë" nga kryeministri Edi Rama i cili  paralajmëroi kryebashkiakët se PS  nuk do të jetë zyrë avokatie për askënd që abuzon me detyrën, kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana ka zhvilluar një takim me punonjës të bashkisë, kryetarët e Njësive, drejtuesit e sektorëve të ndryshëm të bashkisë.

Me një mesazh të fortë, Arbana i drejtohet administratës duke thënë se askush nuk mund ta përdorë emrin e tij për të shkelur ligjin dhe se për çdo shkelje të bërë përgjegjësia do jetë individuale.

 "Asnjë nuk është imun dhe askush nuk mund ta përdorë emrin tim për të shkelur ligjin. Jam zgjedhur për t'i shërbyer qytetarëve dhe nuk do të jem kurrë ndikues në punën tuaj. Çdo shkelje e bërë apo nëse do bëni përgjegjësia do jetë individuale për këdo.Shpresoj shume që çdo punonjës të tregohet në lartësinë e duhur në profesionin e vet. Në çdo rast abuziv inkurajoj çdo organ ligjzbatues të nisë nga unë e deri tek punonjësi më i thjeshtë i bashkisë", ka thënë mes të tjerash Arbana.

Ndër çështjet e trajtuara në mbledhje ishin: Procedurat e Prokurimit Publik; Rregjistrimi i tokës buqësore; Ndërtimet pa leje; Rindërtimi; Bashkëpunimi me policinë për evidentimin e ndonjë rasti sporadik të abuzimeve nëse dikush tenton të mbjellë kanabis; Kodi etikës, shërbim cilësor dhe korrekt ndaj cdo qytetari.

"Detyra ime si kryebashkiak është t'i shërbej qytetarëve të Shijakut, banorëve të Njësive Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj. Është shumë e rëndësishme kur dikush të beson se mund t'i përfaqësosh me drejtësi dhe integritet. Nëse mes jush është dikush që mundohet të përpiqet të bëjë veprime abuzive ndaj detyrës që i është besuar, toleraca nga ana ime dhe e partisë socialiste është zero. "Çdo qingj varet nga këmbët e tij"- thotë populli. Përgjegjësia e çdo punonjësi administrate është individuale", ka thënë mes të tjerash ai.