Parandalohet atentati terrorist në
Gjermani,arrestohet siriani 19 vjeçar

Parandalohet atentati terrorist në<br />Gjermani,arrestohet siriani 19 vjeçar<br>
Një sirian 19 vjeçar është arrestuar nën dyshimin se kishte planifikuar një atentat terrorist në Gjermani. Sipas prokurorëve personi ishte i gatshëm të kryente sulmin duke përdorur materiale shumë shpërthyese. 19 vjeçari Yamen A. U arrestua të martën në mëngjes në Schwerin për shkak të dyshimit për përgatitje të një akti të rëndë të dhunshëm, që rrezikonte shtetin.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme gjermane në korrik 2017 ai kishte marë vendimin që të ndizte një lëndë shpërthyese në Gjermani, për të vrarë dhe plagosur sa më shumë njerëz. Sipas të dhënave, personi i dyshuar është informuar në rrjete sociale për udhëzime për përgatitjen e bombave dhe kishte kontakt me një person, që e quan veten ushtar të Kalifatit, pra të "Shtetit Islamik".

Por nuk është e qartë se për cilin person bëhet fjalë dhe cili ka qenë roli i këtij personi në përgatitjen e aktit. Po bëhen verifikime nëse personi i dyshuar ka qenë anëtar i ndonjë organizate terroriste. Ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Thomas de Maiziere deklaroi se me arrestimin e 19 vjeçarit u pengua një "atentat i rëndë terrorist në Gjermani".

De Maiziere tha se në bazë të të gjitha të dhënave të mbledhura "ndërhyrja u bë në kohën e duhur: aq vonë sa duhet, për të mbledhur dëshmi dhe njëkohësisht herët për ta frenuar në mënyrë të besueshme rrezikun". De Maiziere tha se kërcënimi terrorist prej ekstremistëve islamikë në Gjermani dhe në Evropë mbetet "i pandryshuar në nivel të lartë".

Gjermania u godit nga një sërë atentatesh në 2016, duke përfshirë edhe një në dhjetor, kur një tunizian sulmoi me një kamion të vjedhur një treg Krishtlindjesh në Berlin, e vrau 12 persona.


Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Shtyhet në datë 12 shtator seanca paraprake e 'Sterilizimit', shkak mungesa e një avokati! Beqaj në GJKKO: Aktet të pavërteta

Shtyhet në datë 12 shtator seanca paraprake e 'Sterilizimit', shkak mungesa e një avokati! Beqaj në GJKKO: Aktet të pavërteta