KONISPOL - Një atentat me lëndë eksplozive është parandaluar mbrëmjen e djeshme në fshatin Vrinë, në Konispol.

57-vjeçari Mirash Gjikola ka njoftuar policinë e Sarandës se në vendin e quajtur “Kthesa e Vrinës” në aksin Shëndëlli-Vrinë, ka dëgjuar zhurma të pazakonta në mjet. Ai ka ndaluar dhe ka konstatuar praninë e një sasie eksplozivi.

Lënda plasëse është gjetur në sediljen e pasme të mjetit dhe dyshohet se do të aktivizohej me telekomandë. Ekspertët shkuan menjëherë në vendngjarje dhe kryen neutralizimin e eksplozivit.

Policia ka identifikuar 54-vjeçarin Dedë Gjini, i cili jeton në Lezhë si autor të dyshuar të ngjarjes. Ai është shpallur në kërkim për tri vepra penale "Shkatërrimi i Pronës me eksploziv", "Kanosja" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit".

Gjikola thotë se nuk është i përfshirë në asnjë konflikt, por rezulton se ka qenë i dënuar për tentativë vrasjeje.

Në tetor të vitit 2012, në fshatin Spitën të Lezhës, Gjikola ka plagosur me armë zjarri Dedë Kovaçin. Më pas ai është larguar në drejtim të malit për të mos rënë në duart e policisë.

Konflikti përshkallëzoi në përdorimin e armës pasi Gjikola pretendonte se Kovaçi i kishte marrë një pjesë toke.