Në Lushnjë tre të rinj janë shpallur në kërkim nga policia pasi kishin planifikuar që të kryenin grabitje me armë, ndërsa në përpjekje për tu larguar rrezikuan jetën e efektivëve të policisë. Policia ka shpallur në kërkim shtetasit Renato Çala, 30-vjeç, Florenc Tatoshi, 36-vjeç, dhe Bukurosh Mukja, 66 vjeç, të tre banues në Elbasan.
Siç njoftojnë blutë e Lushnjë, në vendin e quajtur "Rotondo e Çermës", efektivët lokalizuan makinën e cila dyshohet se do të kryente grabitje dhe i kanë bërë shenjë për të ndaluar. Por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar dhe ka shtuar shpejtësinë duke rrezikuar jetën e efektivëve që ishin në rrugë, për të ndaluar këtë automjet.

Policia i është vënë në ndjekje të makinës tip “Benz” i cili po lëvizte me shumë shpejtësi në drejtim të fshatrave të Peqinit.
Për shkak të shpejtësisë së madhe, automjeti ka dalë nga rruga dhe tre shtetasit që udhëtonin në automjet e kanë braktisur atë dhe kanë mundur të largohen, duke përfituar nga errësira. Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi municioni luftarak.
Në kuadër të operacionit ‘Parandalimi’ u identifikuan tre shtetasit që qarkullonin në automjetin me targa të falsifikuara dhe bënë shpalljen e tyre në kërkim, për veprat penale "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak" dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve".
Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e disa vjedhjeve të kryera nga këta shtetas, në rrethin Lushnjë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprime të mëtejshme.

