Paratë e bashkive, qeveria
mbajti 6 miliardë lekë të CEZ

Paratë e bashkive, qeveria <br />mbajti 6 miliardë lekë të CEZ
TIRANE- Qeveria ka përvetësuar nga bashkitë dhe komunat më shumë se gjysmën e fondeve, që u njohu si transferta të pakushtëzuara, me qëllim që të shlyente detyrimet e ndërmarrjeve të ujësjellësve ndaj ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë elektrike.  Vështirësitë në rritje për të përballuar shpenzimet, në një kohë që të ardhurat janë realizuar më pak se planifikimi, kanë detyruar, me sa duket, dikasterin e Financave që të mbajë për vete disa qindra milionë lekë të reja, që, në fakt, duhej të kishin kaluar në arkën e CEZ-it. Një dokument bilanci i kësaj kompanie tregon se rreth 5 milionë euro janë mbajtur nga dikasteri i Ridvan Bodes, ndonëse qeveria ka vendosur - dhe Kuvendi e ka kthyer në ligj Aktin Normativ, tashmë edhe të dekretuar nga presidenti i Republikës - për të plotësuar nevojat e shpenzimeve buxhetore.

FONDET
Sipas Aktit Normativ, që tani ka marrë fuqi të plota ligjore, shumë komunave dhe bashkive u janë shtuar fondet për subvencionimin lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm të popullatës, pikërisht për të mbushur "gropën e zezë" shumëvjeçare që ndërmarrjet e ujësjellësve, që në shumicën e rasteve kanë si aksionerë-pronarë organe të pushtetit vendor. Kjo shtesë është bërë për të paguar detyrimet për faturat ndaj subjektit që furnizon me energji elektrike këta ujësjellës dhe që është pikërisht kompania CEZ. Në total, buxheti u ndryshua në masë të tillë, që 1.25 miliardë lekë të reja të kalonin për të shlyer një pjesë të borxhit, pasi, sipas CEZ-it ky borxh llogaritet në mbi 5 miliardë lekë.
Por, gjithnjë sipas bilanceve të kësaj kompanie, as ky angazhim nuk është mbajtur nga ana e qeverisë. E ndodhur në vështirësi pagesash, në pamundësi që të kthejë sërish sytë nga kreditë e buta apo tregtare, me një borxh që ka shkelur edhe kufirin ligjor të 60 përqindëve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit, qeveria duket se ka vendosur në heshtje që një pjesë të kësaj shume ta mbajë në arkën e buxhetit qendror dhe të mos u kalojë, as organeve të pushtetit vendor dhe as kreditorit CEZ Shpërndarje.

BILANCET
Sipas këtij bilanci, në fakt, janë 1.17 miliardë lekë te reja, që duhet të kishin kaluar në llogaritë e 52 ndërmarrjeve të ujësjellësve në të gjitha rajonet e vendit. Por vetëm 20 prej tyre kanë patur mundësi të paguajnë. Durrësi psh duhej të kishte paguar tashmë 205 milionë lekë borxhe, por nuk ka paguar asgjë, po ashtu si dhe qytete të tjera të mëdha të vendit. Në total, në arkën e CEZ-it janë hedhur, në përputhje me kushtet e këtij Akti Normativ, 501 milionë lekë, nga 1.17 miliardë lekë që duhej të jepnin ujësjellësit për të shlyer fatura të energjisë elektrike. Pra, 600 milionë të tjerë janë mbajtur nga buxheti qendror.

SHKELJET
Për këto fonde, organet e pushtetit vendor janë detyruar të mbyllin dyert në jo pak raste, pasi janë hequr nga fondet e pagave e shpenzimeve të tjera operative të domosdoshme për të kaluar në plotësimin e detyrimeve për konsumin e papaguar të energjisë. Por, absurdi është që ato nuk shkojnë në destinacion, madje nuk lëvizin fare nga vendi, duke mbetur në arkën e qeverisë qendrore. Kjo qeveri po përpiqet të gjejë likuiditet nga të mundet, duke u bërë vetë një borxhlie e keqe për shumë subjekte që kanë kryer punë e s'marrin pagesë, për të paguar rroga e pensione, udhëtimet e kryeministrit e ministrave, salltanetet e festave kombëtare, që pasurojnë gjithnjë të njejtët persona, etj.

Me këtë veprim, qeveria bën një gabim të shumëfishtë. Fondet për bashkitë e komunat po cenohen, gjë që cenon decentralizimin fiskal, por edhe kompanisë kreditore nuk i jepen paratë që ajo kërkon për shërbimin e kryer. Lidhur me këtë veprim, e ka ngritur këto ditë zërin, gjë denoncimeve të përditshme të situatës në shparndarjen e energjisë, edeh deputeti opozitar Arben Ahmetaj, sipas të cili "skandali është edhe më i thellë, sepse një shumë e madhe parash janë marrë nga arkat e bashkive për të paguar këto borxhe të ujësjellësit dhe këto para tashmë nuk dihet se ku kanë përfunduar".
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
sg/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Dyshohet se përdhunuan një 31-vjeçar me aftësi të kufizuara, dy burrat e arrestuar dalin në Gjykatën e Elbasanit

Dyshohet se përdhunuan një 31-vjeçar me aftësi të kufizuara, dy burrat e arrestuar dalin në Gjykatën e Elbasanit