PARIS - Paraditen e të hënës, një burrë i armatosur ka hyrë në ambientet e të përditshmes franceze, “Libération”,dhe  ka plagosur me pushkë asistentin e fotografit të kësaj gazete.

Më pas rreth orës 12.30, të shtëna me armë zjarri janë verifikuar edhe në një filial të bankës Société Générale.

Tashmë policia po punon për të zbardhur ngjarjet, për të kuptuar nëse ka qenë i njëjti person i cili ka hapur zjarr, ndërkohë që janë blinduar të gjithë mediat pariziene.
 
Sipas dëshmive të para, mendohet se atentatori është një burrë rreth të 40-tave, i cili ka qëlluar dy herë me armë.

Drejtori i Gazetës Libération, Nicolas Demorand, është shprehur se nëse në një vend demokratik, një person hyn në një gazetë i armatosur, atëherë kjo është shumë e rëndë, sido që të jetë gjendja mendore e këtij personi. 

Ai u shpreh gjithashtu se nëse gazetat dhe mediat do të kthehen në bunkerë, do të thotë se diçka nuk po shkon siç duhet në një shoqëri. 

Ndërkohë në kryeqytetin francez, gjendja është ende e tensionuar.
 
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)