TIRANË, 20 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi përshendet qeverinë shqiptare për vendosjen e konsullit të nderit në Gjakovë nga  Ambasada e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, ndërsa shpreh keqardhje për mosmarrje pjesë në këtë takim sepse po rrugëton për në Paris ku pritet që Kosova të antarësohet në UNESCO.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Thaçi në një status të tij  ne Facebook pasditen e martës, shprehet se "Jam rrugës për në Paris kur në orët e fundit para votimit të Bordit Ekzekutiv për kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, do t'i japim edhe në shtytje kësaj aspirate të madhe të Kosovës. Por, me mendje isha në Gjakovë, me merakun që nuk mund të merrja pjesë në hapjen e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë".
"E përgëzoj Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për vendosjen e konsullit të nderit në Gjakovë nga ana e Ambasadës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës. Hapja e kësaj konsullate në Gjakovë, do të intensifikojë bashkëpunimin ekonomik, kulturor e artistik mes qytetit të Gjakovës dhe bashkitë në pjesën veriore të Shqipërisë, por dhe do të ndikojë në thellimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërshtetërore. HTH" pohon Thaçi.