PARIS - Disa dronë misteriozë janë parë të fluturonin në disa zona të caktuara në kryeqytetin francez gjatë natës dhe policia e Parisit i konsideron raportimet serioze. Të paktën 5 objekte ajrore të telekomanduara janë vënë re mes mesnatës dhe mëngjesit të së martës, ndërsa asnjë prej tyre nuk është mundur të kapet.

Kulla e Eiffelit ishte në listën e vendeve ku është pikasur një prej dronëve, teksa droni i parë është vënë re mbi ambasadën amerikane dhe më pas në sheshin e La Concorde. Sipas zyrtarëve policorë fluturimet misterioze të dronëve mund të jenë të lidhura mes njëra-tjetrës. Këto objekte janë të lehta për t’u blerë por shfaqja e tyre gjatë muajve të fundit në ambiente “të ndjeshme” ka shqetësuar autoritetet franceze.

Dronët mund të filmojnë pamje ajrore në cilësi të lartë dhe ajo çfarë nuk është e qartë në këtë rast është nëse përdorimi i tyre është keqdashës apo vetëm për kënaqësi.

Redaksia Online
(do.k/shqiptarja.com)