Punimet për përfundimin e parkimit nëntokësor në sheshin “Avni Rustemi” në Tiranë po vijojnë me ritme të larta, një investim i rëndësishëm i Bashkisë së Tiranës që pritet të lehtësojë parkimin dhe qarkullimin e automjeteve në një prej zonave më të frekuentuara të kryeqytetit.

Parkimi i ri do të ketë një kapacitet prej 208 vendesh, nga të cilat 4 do të jenë të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara.

Për të garantuar përfundimin e projektit brenda afatit të përcaktuar, Bashkia e Tiranës ka intensifikuar ritmet e punës, duke dyfishuar prej disa javësh numrin e punonjësve të angazhuar në kantier. Synimi është që parkimi të jetë funksional në mesin e muajit dhjetor 2026, duke respektuar standardet e cilësisë dhe sigurisë.

Inxhinieri Orges Llubani, i cili ndjek nga afër realizimin e projektit, bëri të ditur se punimet kanë hyrë në fazën përfundimtare.

“Ka përfunduar karabinaja dhe ka nisur instalimi i ashensorit. Objekti do të ketë dy hyrje me shkallë dhe një ashensor. Ndërkohë, ka filluar montimi i sistemit të ventilimit, sistemit të mbrojtjes nga zjarri dhe atij të ndriçimit. Parashikohet që parkimi të jetë funksional dhe të hapet në mesin e muajit dhjetor. Ai do të ketë 208 vende parkimi, nga të cilat 4 të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara”, u shpreh Llubani.

Investimi merr një rëndësi të veçantë për shkak të pozicionit strategjik të sheshit “Avni Rustemi”, i cili lidh zonën e Pazarit të Ri me Unazën e Brendshme të Tiranës, përmes rrugëve “Hoxha Tahsim” dhe “Tefta Tashko-Koço”.

Përveç krijimit të hapësirave të reja të parkimit, projekti synon të përmirësojë aksesueshmërinë dhe të reduktojë presionin e automjeteve të parkuara në rrugët përreth, duke i dhënë më shumë hapësirë lëvizjes së këmbësorëve.

Ndërhyrja parashikon gjithashtu rehabilitimin e fasadave përgjatë rrugës “Luigj Gurakuqi”, si pjesë e një transformimi më të gjerë urban që synon të përmirësojë pamjen e zonës dhe të krijojë një mjedis më tërheqës për banorët, bizneset dhe turistët.