Edhe sot fjalën e tërhoqa sepse në Parlament nuk kishte foltore. Po, po. Nuk kishte foltore. Ajo ishte uzurpuar, rrëmbyer, dhunuar duke mos lënë askënd t’i afrohej.
Një javë më parë, kërkova nga kolegët e mi të opozitës mirëkuptim dhe qetësi në seancë jo për mua personalisht, por për kolegët e mi të maxhorancës që në vend të bënin zhurmuesin flisnin për marrëveshje që i vinin në ndihmë bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit. Për marrëveshje që njihnin kontributet e shqiptarëve që jetojnë në Republikën Çeke.
Duke besuar në reflektimin e përfaqsuesve të opozitës edhe këtë javë përgatita fjalimin tim në Kuvend me shpresën që neni 62 i rregullores së Kuvendit nuk do të shkelej sërish nga kolegët e opozitës.
“Anëtarët e Kuvendit nuk duhet të ndërpresin fjalën e drejtuesit të seancës plenare ose të diskutuesve të tjerë, të përdorin gjuhë ofenduese dhe joparlamentare në Kuvend, të ndërmarrin sulme personale apo veprime ndaj ndonjë deputeti, të përhapin informacione që cenojnë jetën private të cilitdo, të sillen në mënyrë të padenjë ose të shkaktojnë rrëmujë në mjediset e Kuvendit”, thuhet në nenin 62 të rregullores së Kuvendit, nen i cili për katër javë me rradhë është shkelur nga opozita.
Në cilësinë e deputetes së Komisionit të Integrimit në Kuvend, ajo që doja të nënvizoja në seancën e sotme ishte mesazhi kryesor që dha përgjatë gjithë ditës së djeshme komisioneri i BE për Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn. Komisioneri Hahn ka pasur si kryefjalë të çdo takimi të zhvilluar reformën në drejtësi dhe dialogun politik përmes të cilit duhet të kalojë ajo.
Por kjo sjellje e opozitës dhe ky qëndrim i përjavshëm në sencat plenare janë tregues se jo vetëm mesazhet e dhëna për reformën në drejtësi dhe hapat integruese të vendit nuk janë mirëpritur nga kolegët demokratë, por edhe është vendosur një bllokadë për reformën duke e kushtëzuar miratimin e saj me gjithçfarë çështjesh të debatit të përditshëm politik.
Apeli im për kolegët e opozitës është që të vlerësojnë më shumë atë foltore duke bërë së pari hapin e madh, rikthimin e saj në Kuvend.
Redaksia Online
Shqiptarja.com