Parlamentarizëm i deformua

Parlamentarizëm i deformua
Shqipëria ka një parlament, 140 deputetë, të zgjedhur indirekt përmes listave proporcionale të partive. Ata ushtrojnë sovranitetin qytetar dhe kanë mandat politik për të iniciuar e votuar çdo ligj apo akt tjetër të përcaktuar nga Kushtetuta si objekt parlamentar. Ata kanë imunitet kushtetues, imunitet imunitet politik, si dhe në kushtet tona të tranzicionit, edhe një imunitet publik të fuqishëm. Ata zgjedhin presidentin, qeverinë, kryeprokurorin, gjykatën kushtetuese, atë të lartë, kreun e bankës dhe KLSH, disa dhjetra zyrtarë të lartë të piramidës shtetërore, si dhe marrin çdo vit në analizë punën e 13-15 institucioneve të larta kushtetuese.

Ata kanë akses pakufi në debatet publike, marrin çdo ditë një pjesë të madhe të headlines në media, janë pjesë e çdo tryeze bisedimi ndërkombëtar dhe në fund, - kanë monopolin e vendimmarrjes për çdo vendim të rëndësishëm politik, përfshirë edhe ndryshimin e Kushtetutës. Në çdo vend demokratik ky supërpushtet parlamentar do ishte i mjaftueshëm për të pasur një raport balancues midis publikut dhe parlamentarëve: i pari përmes presionit pozitiv dhe kërkesave, të dytët përmes detyrimit për të ofruar zgjidhje alternative. Kur gjërat nuk funksionojnë mirë publiku ankohet, rrit tonet kritike, deri edhe kërkon mekanizma demokratikë për të korrektuar elitën politike, tek e cila zhgënjehet.

Në Shqipëri ka ndodhur dhe po vijon të ndodhë ndryshe. Tek ne nuk kemi raport balancues publik – parlamentar, por një raport kontradiktor dhe përpjekje të parlamentit për të zëvendësuar edhe publikun. Tek ne publiku nuk ka hapësira e mbështetje për tu imponuar me mekanizma demokratik (zgjedhje të lira e të fshehta, demokraci direkte, nisma ligjore), por kemi deputetë që gjysmën e ditës janë legjislativ dhe gjysmën publik. Tek ne zhgënjimi është maksimal, por në vend të publikut që kërkon korrektim të elitës politike, kemi elitë politike që kërkon mekanizma të zëvendësojë publikun. Rolet janë ngatërruar pafundësisht: psh, kur një gjykatë, prokurori apo institucion tjetër kushtetues merr një vendim legjitim (pozitiv ose negativ) qytetari mund të ketë opinione të kundërta dhe mund të reagojë si të dojë, por një ligjvënës apo ministër nuk mund të sillet jashtë orbitës kushtetuese që mbart ky emër. Shoqëria shqiptare nuk ka nevojë të shohë deputetë apo ministra, të cilët nga telefona të markave të fundit ankohen në media e publik për vendimet legjitime të gjykatave, vrapojnë të marrin rolin e viktimës në një sistem të cilin vetë e kanë krijuar dhe e kanë në dorë, që lëshojnë ultimatum nominale e verbale deri atje sesi të veprojë gjykata e prokuroria, policia dhe shërbimi sekret në një dosje hetimore apo proces gjyqësor. Shoqëria ka nevojë të shohë politikanë të përgjegjshëm që sa herë ndeshen me pakënaqësi vendimesh, të bëjnë atë për të cilën janë mandatuar, paguhen me paratë tona dhe pritet prej tyre: të përdorin mekanizma parlamentarë (séanca debati, intepelanca, komisione hetimore, të propozojnë ligje, amendime, etj, etj). Çfarë e pengon një deputet të kërkojë psh, ndryshim ligji në një pikë ku ai nuk është dakord ose ku mendon se gjërat nuk funksionojnë? Ata nuk mund të sillen si një spektator i thjeshtë që nuk ka asnjë mekanizëm ligjor ndryshimi, por duhet të marrin përgjegjësi, të tregojnë shembuj për vete, të rrezikojnë, dhe vetëm më pas të tia lejojnë vetes të lëshojnë kerkesa apo kritika mediatike për të tjerët.

Ligjvënës që paguhen me taksat tona për të bërë ligje, por që dijnë të bëjnë vetëm spikerin besnik të shefit kundër institucioneve kushtetuese dhe shpesh, edhe kundër interesave publike, duket se kanë koncept tërësisht të gabuar për veten dhe pastaj, edhe për demokracinë dhe vendin e tyre. Mania e ikjes nga detyra kushtetuese, e pafuqisë për të vepruar i lirë në parlament apo për të krijuar një axhendë politike qytetare të ndryshme nga ajo që u imponohet nga kabinetet e selive, me vullnet apo “rastësi” konsensuale po dëmton parlamentin, parlamentarizmin dhe cilësinë e demokracisë përfaqësuese. ah/Shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës