Komiteti i Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian ka miratuar një projektrezolutë për Shqipërinë. Në nisje të kësaj mbledhje eurodeputetët i bënë thirrje Këshillit që t’i japë Shqipërisë statusin kandidat pa vonesa të mëtejshme, me kusht përmbushjen e reformave kyçe të përcaktuara nga Komisioni.

Por rezoluta e miratuar me 61 vota pro, 1 kundër dhe dy abstenime shpreh shqetësim për mungesën e progresit në gjyqësor dhe nënvizon rëndësinë e një gjyqësori të pakorruptuar, të pavarur dhe transparent.

Ndërkaq, projektrezoluta në fjalë vlerëson se zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 mbeten një test i rëndësishëm i pjekurisë së demokracisë së vendit.

Parlamenti Evropian bën thirrje që të gjitha forcat politike të zhvillojnë fushatë dhe zgjedhje të lira e të ndershme dhe të punojnë së bashku për të përmirësuar klimën politike në vend.

(jd/Shqiptarja.com)