Parlamenti lan duart me Koço
Kokëdhimën, në Kushtetuese

Parlamenti lan duart me Koço<br />Kokëdhimën, në Kushtetuese
TIRANË - Kuvendi ka dorëzuar dje me konsensus të të dy kampeve politike deputetin Koço Kokëdhima, duke e lënë fatin e mandatit të tij në dorë të Gjykatës Kushtetuese. Pas akuzave të opozitës se Kokëdhima ka përfituar të paktën 150 herë fonde publike përmes kompanisë së tij të internetit, Kuvendi ka vendosur dje më 106 vota pro, ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit Koço Kokëdhima. Kundër këtij vendimi ishin dy deputetët më besnikë të tij në Jug, Mira Shehu e Vlorës dhe Vangjel Kosta i Gjirokastrës.

Në votim abstenoi vetë Kokëdhima, si dhe kolegët e tij Paulin Stërkaj, Klodiana Spahiu dhe Namik Kopliku. Votimi i djeshëm erdhi pasi më herët Kushtetuesja rrëzoi vendimin e Kuvendit, i cili hodhi poshtë kërkesën e opozitës për dërgimin e çështjes në këtë Gjykatë dhe tentoi ta mbyllte këtë çështje në sallën plenare. Ndërsa dje, mazhoranca dhe opozita në Këshill kanë vendosur që çështja t’i dërgohet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese.

Dërgimi i mandatit të Kokëdhimës në Kushtetuese ishte aq i rëndësishëm për opozitën sa u rikthye në seancën të cilën e kishte braktisur më herët. Kokëdhima ka thënë në seancë se të gjitha kompanitë që drejtoheshin prej tij janë të ligjshme, ndërkohë që ka atakuar opozitën për mosrespektim të punës së veprave të shqiptarëve. Ndërkohë Kuvendi ka shtyrë për javën e ardhshme votimin për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetit socialist, Rakip Suli. Vetë deputeti ka kërkuar nga kolegët e tij për ta çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, pas akuzave të ngritura nga opozita.

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Suli ka sfiduar demokratët, duke kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për pasurinë e tij dhe të kryetarit të PD, Lulzim Basha. Ai hodhi poshtë akuzat për përfitim të fondeve publike gjatë kohës së ushtrimit të funksionit të deputetit. “Do t’i kërkoja z.Berisha nëse ka mundësi për ta thirrur z.Basha tek zyra dhe të ngremë një komision hetimor për të hetuar Rakip Sulin dhe Lulzim Basha për të gjitha pasuritë që kanë vënë deri në këtë moment, sepse është një kryetar i cili pat frikë dhe u fsheh si struci dhe nuk vajti asnjë ditë në dyert e gjykatës për 230 milionë dollarë (akuzat e mëhershme të opozitës së asaj kohe ishin në euro) që janë gjaku dhe djersa e shqiptarëve.

Rakip Suli ka 20 vjet që drejton kompaninë Aurora Grup. Nuk ka marrë asnjë euro tender publik por fal punës. Është bazuar vetëm tek importet. Objektet që ju pretendoni se kemi marrë me qira në kohën kur ka qenë ministër Lulzim Basha ka qenë 35% më shtrenjtë. Atëherë ku është ndikimi politik? Ku janë abuzimet e mia si deputet? Nëse pranon z. Basha jam dakord të hetohemi nën sytë e medieve. Jam i pastër kristal përpara Zotit dhe para ligjit. Keni frikë nga ligji. Falënderoj deputetët e mazhorancës që pranuan kërkesën time për ta çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai. Kreu i Kuvendit, Meta tha se kërkesa mund të votohej në seancën tjetër në mënyrë që opozita të riformulojë kërkesën e saj.
 
Çfarë parashikon ligji. Fati i mandatit të Kokëdhimës, Kushtetuesja mundësia e fundit 
Sipas Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës së Shqipërisë, në këtë fazë të procesit, Gjykata e Kushtetuese është mundësia e fundit e Koço Kokëdhimës për fatin e mandatit të tij. Kjo gjykatë do ta shqyrtojë këtë çështje për herë të fundit, dhe ajo do të duhet të shprehet konkretisht nëse deputeti i Vlorës do ta përfundojë apo jo mandatin e tij. Sipas rregullores së Kuvendit, pas vendimit të djeshëm në seancë plenare, çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të thotë fjalën e fundit, por nuk dihet se sa kohë do t’i duhet për të shqyrtuar çështjen dhe për të zbardhur vendimin final.

Për këtë gjykatë nuk ka afate detyruese, dhe nga praktika e shqyrtimit të kësaj çështjeje pjesërisht pak kohë më parë, asaj ju deshën më shumë se 6 muaj në total për shqyrtimin e çështjes. Nëse një situatë e tillë përsëritet, Kokëdhima do të “gëzojë” mandatin e tij thuajse plotësisht, edhe nëse gjykata konstaton se ai ka shkelur Kushtetutën. Gjykatës Kushtetuese ju deshën 44 ditë për të zbardhur një vendim 29 faqësh mbi ndërprerjen e mandatit të deputetit të Vlorës, Koço Kokëdhima. Vendimi u mor në 11 dhjetor por u zbardh vetëm 24 shkurt pas insistimit të gjatë të opozitës.

Në këtë vendim, gjykata rrëzon Kuvendin, i cili me votat e mazhorancës, mbrojti deputetin Kokëdhima, duke mos e dërguar fare në Kushtetuese kërkesën e opozitës për ndërprerjen e mandatit të deputetit, me argumentin se kishte përfituar fonde publike. Me tetë vota pro dhe një kundër, Gjykata Kushtetuese e ka quajtur këtë vendim të Kuvendit për mosdërgim të çështjes pranë saj, si antikushtetues.
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'