Tedi Blushi bën përgjegjës Edi Ramën dhe Ilir Prodën për aktet e dhunës gjatë protestës së opozitës që u mbajt të shtunën.

“Edi Rama dhe Ilir Proda, personalisht janë përgjegjës për dhunën dhe i paralajmërojmë se nuk do të amnistohen kurrë dhe se do të marrin të gjithë shpagimin e merituar për gjakun, dhunën dhe helmimin që shkaktuan dje” tha ai të dielën.

Ndër rreshta, sekretari i pergjithshëm i Partisë së Lirisë, e cilësoi protestën “një leksion demokracie” për Edi Ramën dhe qeverinë e tij, e duke falenderuar “mijëra qytetarë patriotë” përsëriti kërkesën për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

“Me një ndjenjë të lartë patriotizmi dhe përgjegjësie qytetare, mijëra shqiptarë i treguan Edi Ramës dhe gjithë çetës së tij kleptokrate dhe mafioze se vendi i tyre është në burg dhe jo në zyrat e shtetit, duke shprehur qartë vullnetin se e vetmja zgjidhje urgjente politike dhe e domosdoshme është krijimi sa më parë i Qeverisë Teknike dhe zgjedhje të parakohshme” tha ai.

Blushi dënoi “dhunën e egër të narkopolicëve” dhe akuzoi autoritetet se kanë helmuar protestuesit me gaz të skaduar.

“Terrori dhe dhuna e egër e pashembullt e narkopolicëve, rrëmbimet mafioze dhe arrestimet kriminale të qytetarëve paqësorë dhe të miturve, helmimi me lëndë toksike i popullit e sidomos i gazetarëve, me gaz të skaduar prej 3 vitesh, provuan panikun e thellë dhe të tmerrshëm ku është zhytyr Edi Rama, i cili bashkë me familjen u arratis dje nga Tirana për t’u trimëruar sot, por i pashpresë, me statuse në rrjetet sociale”

Krahu i djathtë i Ilir Metës në Partinë e Lirisë shtoi edhe dozat e kritikës edhe ndaj policisë.

“Narkopolicisë që i ikin me vrap nga burgjet killerat seriale, që nën hundën e të cilëve kryhen atentate mafioze edhe pranë institucioneve të sigurisë kombëtare, por që trimërohet para qytetarëve të thjeshtë e të pambrojtur, meriton të mbajë të gjithë zemërimin e ligjshëm të popullit më të varfër dhe më të shtypur të kontinentit”

Blushi shpjegoi se misioni i opozitës është i tipit ‘a vdekje a liri’ dhe nuk do të ndalet, sipas tij, deri  në triumfin përfundimtar të lirisë, të demokracisë dhe shtetit ligjor.