Partia e Lirisë thotë se varfëria në Shqipëri është thelluar edhe më shumë si rezultat i çmimeve të larta, ndërkohë që pagat dhe pensionet janë më të ulëtat në Evropë.

Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, në një konferencë për shtyp tha se Shqipëria ka pagën më të ulët në Europë nëse e krahason me fuqinë blerëse.

'Kriza e çmimeve e ka thelluar varfërinë e shqiptarëve dhe i ka kthyer në luks ushqimet bazë për familjet me të ardhura të ulëta dhe pensionistët.  Hendekun e madh mes Evropës dhe Shqipërisë e sheh më shumë se kudo tjetër te niveli i çmimeve të shportës. Në Shqipëri janë shumë më të shtrenjta se në Itali:

Vaji

Në Itali – 1.89 euro

Në Shqipëri – 3.5 euro

Makaronat 

Në Itali – 0.99 euro

Në Shqipëri – 2 euro

Qumësht

Në Itali – 0.85 euro

Në Shqipëri – 1.5 euro

Miell

Në Itali – 0.55 euro

Në Shqipëri – 1 euro

Jemi të fundit në Europë për fuqinë blerëse dhe për pagën minimale. Jemi të fundit për nivelin e pensioneve dhe skemat e ndihmës sociale.

Çmimi i dyfishuar i produkteve të shportës është vetëm një aspekt i kostos së rritur të jetesës për mijëra shqiptarë. Sepse për qeverinë që i drejton, të parët padyshim janë klientët e saj, me të cilët ndahen paratë e shqiptarëve të zhytur në varfëri.

Ndaj Partia e Lirisë ka një plan të detajuar për gjenerimin e rritjes më të lartë ekonomike, uljen e kostos së jetesës, ashtu edhe përmirësimin e saj me paga më të larta dhe me cilësi më të lartë të shërbimeve publike.’- u shpreh Xhixho.