Partia e Lirisë ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor lidhur me dëmtimet në rrugët e vendit që kulmuan me rrëshqitjen e aksit Librazhd-Prrenjas. Kërkesa është nënshkruar edhe nga anëtarë të Partisë Demokratike.
Konkretisht, kërkesat konsistojnë në ngritjen e një komisioni hetimor që kontrollon ligjshmërinë e veprimeve të institucioneve, ARRSH, standardeve të ndërtimit etj. Komisioni duhet të ketë 9 anëtarë ku kryetari dhe 3 anëtarë t’i përkasin opozitës dhe 5 mazhorancës, ndërsa miratimi duhet të ndodhë në seancën plenare më të afërt.
“Kërkojmë:
1. Krijimin e një Komisioni Hetimor të Kuvendit, me:
(1) Qëllim: Kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve përgjegjëse për realizimin me standarde, me efikasitet e qëndrueshmëri të investimeve publike.
(ii) Objekt:
a) verifikimi i ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar;
b) verifikimi dhe testimi i respektimit të standardeve të ndërtimit nga kompanitë ekzekutuese. c) verifikimi dhe vlerësimi i kapaciteteve të institucioneve, enteve e shoqatave të profesionistëve, në funksion të garantimit të standardeve të larta në projektimin dhe zbatimin e veprave publike.
d) hartimi i rekomandimeve për të përmirësuar punën në të ardhmen.
(ii) Përbërje: 9 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe 3 anëtarë do t'i përkasin grupeve parlamentare të opozitës dhe 5 anëtarë grupit parlamentar të mazhorancës.
(iv) Afat: 4 muaj nga krijimi i Komisionit Hetimor.
2. Mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për shqyrtimin e kësaj kërkese dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend në seancën plenare më të afërt”, cilëson kërkesa.
Duke marrë në konsideratë vlerën dhe dëmet e shkaktuara, PL shprehet se kjo çështje ndërinstitucionale duhet të përfshijë Kuvendin.
“Duke pasur parasysh se çështja e investimeve në infrastrukturë është një çështje ndërinstitucionale, ku përfshihen shumë institucione dhe entitete, Kuvendi duhet të kryejë funksionin e tij mbikëqyrës dhe monitorues. Këtë detyrë Kuvendi mund dhe duhet ta realizojë edhe nëpërmjet Komisioneve Hetimore”, vijon shkresa.
Në të, renditen të gjitha akset e dëmtuara duke cilësuar se kanë sjellë “pasoja të jashtëzakonshme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, për transportin kombëtar e ndërkombëtar, si dhe për ekonominë në përgjithësi.” Shkresa thotë se pretendimet e qeverisë se kanë qenë për shkak të reshjeve rrëzohen nga shërbimi sinoptik që shpreh të kundërtën.
“Gjatë muajve të fundit, në mënyrë të veçantë gjatë muajit shkurt 2026, kemi përjetuar dëmtime të jashtëzakonshme të infrastrukturës rrugore të vendit, përfshirë dëmtime serioze të urave dhe veprave te tjera civile, që arritën kulmin në rrëshqitjet e trasesë së rrugës në aksin jug-lindor, me pasoja bllokimin e tij të plotë.
Dëmtime serioze patën segmentet Librazhd-Prrenjas, Qukës-Qafë Plloçë, Korçë- Ersekë, Unaza e Burrelit, Auto-moto-parku Elbasan, Dardhë-Boboshticë, Vllahinë- Poçem, Lurë-Peshkopi, Kuç-Qeparo, Memaliaj-Tepelene, Shëngjin-Velipojë, Tuneli i Llogarasë, Tuneli i Murrizit, e shumë vepra të tjera. I një rëndësie të veçantë eshtë segmenti Librazhd - Prrenjas, si pjesë e aksit jug-lindor dhe pjesë e Korridorit Ndërkombëtar VIII, pjesë e korridoreve rrugore evropiane.
Këto dëmtime të akseve rrugore kanë qenë me pasoja të jashtëzakonshme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, për transportin kombëtar e ndërkombëtar, si dhe për ekonominë në përgjithësi.
Kryeministri dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë janë shprehur se këto dëmtime kanë ndodhur si rezultat i shirave të jashtëzakonshëm. Ndërkohë, që referuar shërbimit sinoptik, nuk ka pasur nivele të pazakonta reshjesh”, thotë kërkesa.
Më tej, cilëson se ka pasur vërejtje nga ekspertët për ndërtimin e këtyre rrugëve, ndërsa gjatë vitit 2014-2025 janë investuar 4 miliardë euro.
"Gjatë kësaj periudhe, mjaft inxhinierë dhe specialistë të ndërtimit të rrugëve kanë shprehur publikisht vërejtjet e tyre për mënyrën si realizohen këto vepra publike, duke nënvizuar probleme që kanë të bëjnë me projektet, me studimet gieologjike, me supervizimin dhe inspektimin e punimeve, me respektimin e kritereve të sigurisë dhe të mirëmbajtjes, si dhe me respektimin e standardeve të vetë ndërtimit.
Gjatë periudhës 2014-2025 janë investuar në infrastrukturën rrugore rreth 4 miliard euro, një vlerë shumë e lartë e investimeve publike. Këto vlera të larta të përdorimit të parave të taksapaguesve janë një detyrim i rëndësishëm për t’u mirëmbajtur dhe për të gjetur e analizuar gjithë faktorët e amortizimit të shpejtë të tyre, me qëllim rritjen e gëndrueshmerisë dhe rentabilitetit të investimeve sot dhe në të ardhmen", thotë kërkesa.
Në kërkesë, cilësohet se synimi është të mblidhen informacione për mënyrën e realizimit të investimeve dhe të rekomandohen përmirësime. Puna e komisionit nuk do të konsistojë në nxjerrjen e përgjegjësive penale.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente










