Mjekë të të gjitha fushave u mblodhën në një tryezë nga Partia e Lirisë, e cila akuzon se sistemi shëndetësor në vend po përballet me një situatë alarmante:

"Mjekësinë që në themel ka humanizmin, "Rilindja" e degradoi në pazar për shëndetin dhe jetën, një shëndetësi që funksionon sipas parimit kriminal “paguaj ose vdis”. Spitali Onkologjik është shembulli më i dhimbshëm dhe më tragjik, ku pacientët me sëmundje të rënda përballen jo vetëm me ankthin dhe mungesën e shërbimit dinjitoz, por me rrezikun real të kërcënimit të jetës. Çdo vit kemi rreth 7 mijë raste të reja me kancer. Çdo ditë në Onkologjik hyjnë mbi 100 pacientë, për të cilët kjo qeveri ofron vetëm 19 poltrona për kimioterapi, ndërkohë që Kosova ka 100 të tilla. Pacientët bëjnë kimioterapi në karrige, 6–8 orë, me dhimbje dhe në mënyrë çnjerëzore. 46% e barnave të kancerit nuk kanë hyrë asnjëherë në Shqipëri, 116 barna tumorale,  jetike për pacientët me kancer, nuk janë importuar asnjëherë në periudhën 2021–2025. Mungon Avastina, një ilaç jetik për këta të sëmurë! Situata me furnizimin me ilaçe është skandaloze.  Pacientët trajtohen me barna të skaduara. Dhe ky është krim shtetëror, jo kujdes shëndetësor” tha Sekretari i Përgjithshëm Tedi Blushi

Në emër të Partisë së Lirisë, Blushi propozoi një paketë me 16 pika, mes të cilave rritje e pagave të mjekëve, bllokim i koncesioneve korruptive në shëndetësi, autonomi e sistemit, por mbi të gjitha dhënien fund të asaj që ai e quan kontrabanda e ilaçeve.

Të sigurojmë pasurimin e tregut të barnave me shumë më tepër ilaçe se sa aktualisht, si dhe t'i japim goditje asgjësuese kontrabandës, duke krijuar të gjithë premisat për rikthimin e kompanive farmaceutike prestigjioze brand-name në Shqipëri” tha Blushi

PL thotë se duhet ndërhyrje edhe për të ulur kostot financiare për barnat dhe shërbimet shëndetësore për pensionistët:

“Nevojitet sigurimi pa pagesë të materialeve mjekësore të trajtimit të pacientëve pensionistë në banesë si dhe të artikujve mjekësor (paterica, karroca, shtretër ortopedikë), që mundësojnë lëvizjen dhe pavarësimin jetësor të pensionistëve” tha Blushi.

Në këtë tryezë ekspertët ngritën edhe shqetësimin e ikjes së mjekëve.