Anëtarja e Këshillit Bashkiak në Durrës nga radhët e Partisë së Lirisë, Anisa Ibraj, në një deklaratë për shtyp, ka vënë theksin në problematikat e qytetit bregdetar lidhur me infrastrukturën.

Ibraj thotë se pavarësisht investimeve, Durrësi dështon përballë reshjeve të dendura të shiut. Ndër të tjera ajo thotë se banorët e prekur nga përmbytjet, nuk kanë marrë mbështetje financiare nga shteti si as institucionet nuk kanë marrë përsipër përgjegjësitë për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve.

Deklarata e anëtares së Këshillit Bashkiak në bashkinë e Durrësit, Anisa Ibraj:

Qyteti i Durrësit po përballet me një situatë të përsëritur që dëshmon mungesën e përgatitjes dhe të planifikimit në menaxhimin e infrastrukturës urbane. Çdo reshje e fortë vë në provë qëndrueshmërinë e sistemit publik dhe ekspozon boshllëqet që prej vitesh janë lënë pa zgjidhje.

Kjo gjendje tregon qartë se qyteti nuk është mbrojtur siç duhet dhe se përgjegjësia institucionale mungon përballë nevojave të përditshme të komunitetit. Asnjë masë e qëndrueshme nuk është marrë dhe asnjë  mbështetje financiare nuk u është dhënë qytetarëve për dëmet e shkaktuara.

Investimet në infrastrukturë duhet të jenë të planifikuara mirë, të qëndrueshme dhe me synim mbrojtjen e qytetarëve nga emergjenca të tilla, por asnjehere per Bashkine nuk ka qene e rendesishme zhvillimi qytetit vetem betonizimi e asfalti 3 mujoresh.

Është e domosdoshme të rikthehet vëmendja tek mirëmbajtja  e rrjeteve ekzistuese, tek parandalimi dhe tek përgjegjshmëria e shërbimit publik, që të mos përsëriten situata të tilla që dëmtojnë sigurinë dhe dinjitetin e banorëve.

Bashkia duhet të kuptojë se qyteti nuk mund të përballet pafundësisht me të njëjtën situatë neglizhence dhe mungesë mbështetjeje. Si anëtare e Këshillit Bashkiak ne Bashkine Durrese Partisë së Lirisë, kërkoj vëmendje dhe veprim te menjehershem ndaj kësaj situate alarmante dhe të përsëritur, duke marrë masa për planifikimin dhe parandalimin e përmbytjeve, si dhe duke qëndruar pranë familjeve dhe bizneseve të dëmtuara nga moskujdesi institucional. Durrësi ka potencial të madh zhvillimi, por ky potencial kërkon vizion, punë dhe menaxhim të përgjegjshëm.