Partia e Lirisë ngriti shqetësimin se rritja e çmimit të naftës po dëmton drejtpërdrejtë fermerët duke rritur ndjeshëm kostot e prodhimit. Veç rritjes së kostos në çdo hallkë të zinxhirit të prodhimit prej naftës, PL thotë se fermerët po përballen dhe me mungesë të subvencioneve dhe politikave favorizuese për prodhimin vendas.
Deklarata e Kryetares së Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami
Shqipëria sot ndodhet përballë një krize të thellë në sektorin e bujqësisë, një krizë që nuk ka ardhur rastësisht, por si rezultat i një neglizhence të vazhdueshme dhe mungese totale vizioni nga ana e qeverisë.
Rritja e çmimit të naftës ka goditur drejtpërdrejt fermerët shqiptarë, duke rritur ndjeshëm kostot e prodhimit. Nga plugimi i tokës, transporti, ujitja, deri tek çdo hallkë e zinxhirit bujqësor, çdo gjë sot kushton më shumë. Ndërkohë, fermerët janë lënë të vetëm përballë kësaj situate, pa asnjë mbështetje reale, pa subvencione dhe pa politika lehtësuese.
Protesta e fermerëve është një alarm i fortë që nuk mund dhe nuk duhet të injorohet. Ata nuk po kërkojnë privilegje, por minimumin për të mbijetuar dhe për të vazhduar të prodhojnë. Sot fermerët shqiptarë ndihen të braktisur nga një qeveri që duket se nuk e njeh realitetin në terren.
Në të njëjtën kohë, qytetarët përballen çdo ditë me rritje ekstreme të çmimeve të produkteve ushqimore. Ironikisht, ndërkohë që toka shqiptare ka potencial të jashtëzakonshëm prodhimi, tregu është i mbushur me mallra importi, shpesh më të shtrenjta dhe jo gjithmonë më cilësore. Ky është një paradoks i papranueshëm për një vend me burime kaq të pasura natyrore.
Shqipëria ka gjithçka që i duhet për të qenë një vend prodhues: tokë pjellore, klimë të favorshme dhe traditë bujqësore. Ajo që mungon është vullneti politik dhe mbështetja konkrete për fermerët. Mungojnë subvencionet e drejtpërdrejta, mungojnë politikat mbrojtëse për prodhimin vendas dhe mungon një strategji serioze për zhvillimin e bujqësisë.
Kjo situatë nuk është më e pranueshme. Qeveria duhet të reagojë menjëherë, të ulë barrën e kostove për fermerët, të subvencionojë prodhimin vendas dhe të vendosë në prioritet bujqësinë si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë kombëtare.
Pa fermerët nuk ka ushqim. Pa prodhim vendas nuk ka siguri ushqimore. Dhe pa një qeveri që mbështet bujqësinë, Shqipëria do të vazhdojë të varfërohet dhe të varet gjithnjë e më shumë nga importet.
Partia e Lirisë ka një program të shkëlqyer, 5 prioritete për 4 milionë plus, ku bujqësia është një nga 5 prioritetet kryesore.
Gjithashtu për t'ju ardhur në ndihmë qytetarëve dhe fermerëve në veçanti, Partia e Lirisë ka dorëzuar 2 projektligje për uljen e çmimit të naftës si dhe uljen e TVSH-SË së ushqimeve nga 20% në 5%.
Masa që do të lehtësonin sadopak barrën e rëndë financiare që sot shqiptarët mbajnë.
Bëjmë thirrje qeverisë që të mendojë për qytetarët.
Komente










