Partia e Lirisë thotë se shqiptarët shpenzojnë rreth 5 miliardë euro në vit vetëm për ushqime. Problemi është disproporcionaliteti mes çmimeve të ushqimeve që janë më të larta sesa mesatarja e BE, kurse të ardhurat përkojnë me 48% e kësaj mesatareje.
“Pabesia e Ramës ndaj familjeve shqiptare: më shumë taksa, më shumë varfëri, më pak mirëqenie.
Sot, rreth 5 miliardë euro shpenzohen çdo vit vetëm për ushqime. Plot 20.4% e PBB shkon për bukën e gojës, përqindja më e lartë në rajon dhe shumë mbi mesataren e Bashkimit Europian. Ndërkohë, për arsim, shëndetësi, strehim apo një jetë dinjitoze mbetet gjithnjë e më pak.
Paradoksi më i madh i keqqeverisjes është se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë tashmë më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, ndërsa të ardhurat e shqiptarëve mbeten vetëm rreth 48% e mesatares europiane. Shqiptarët paguajnë si europianë, por jetojnë me paga ballkanike”, thotë deputetja Erisa Xhixho.
Gjithashtu, ajo kritikon edhe çmimin e lartë të naftës që arrin më të shtrenjtin në rajon. Xhixho thotë se vendi s’ka nevojë për propagandë, por përpjekje reale që reflektohen te lehtësimi i shpenzimeve të qytetarëve.
“Në katër vitet e fundit, kostoja e jetesës është rritur me ritme alarmante, ndërsa nafta arriti në 206 lekë për litër, duke paralajmëruar një valë të re shtrenjtimi. Nuk është rastësi. Shqipëria vazhdon të ketë naftën më të shtrenjtë në rajon, sepse qeveria vazhdon të mbajë mbi qytetarët barrën më të rëndë fiskale, ku vetëm taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër.
Kjo nuk është krizë e tregut. Kjo është pasojë e një qeverisjeje që ka zgjedhur të rëndojë xhepat e qytetarëve në vend që t’i mbrojë ata. Ndërsa propaganda flet për zhvillim, familjet shqiptare numërojnë lekët për të blerë bukën, qumështin dhe vajin.
Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë propagandë. Ka nevojë për ulje taksash, frenim të rritjes së çmimeve dhe politika që mbrojnë qytetarët, jo një qeveri që ua bën çdo ditë jetën më të shtrenjtë”, përfundon reagimi i saj.
Komente









