Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi akuzoi kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për mos mbajtjen e premtimit për të strehuar familje të zonës së Kombinatit që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës.
Ai tha se pavarësisht premtimeve, familjeve nuk u janë dhënë çelësat e banesave të tyre dhe se ka ende shumë punë deri në përfundimin e pallateve ku sipas tij sapo ka nisur ndërtimi.
“Zona e Kombinatit pësoi dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe si pasojë rreth 1500 familje mbetën të pastreha. Por familjet e prekura nga tërmeti nuk i kanë ende në dorë çelësat e banesave të reja, pavarësisht premtimeve të shumta nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. As shorti për këto familje nuk është zhvilluar, duke shënuar një premtim tjetër të shkelur. Nga verifikimi në terren rezulton se ka ende shumë punë deri në përfundimin e pallateve, një pjesë për të cilët sapo ka filluar.
Në 22 qershor 2022, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se brenda vitit 2022 do të futeshin në banesa familjet e para, të prekura nga tërmeti në zonën e Kombinatit. Nga një verifikim në terren në zonën e Kombinatit, për të parë nga afër si po ecën procesi i ndërtimit të pallateve, rezulton se puna nuk ka përfunduar dhe ende asnjë familje nuk është strehuar aty. Çdo ditë do t’i kujtojmë Erion Veliaj nga një premtim të pambajtur dhe do t’i faktojmë konkretisht mashtrimet e tij”- u shpreh Blushi.
Përgjigja ka ardhur nganënkryetarja e Bashkisë, Anisa Ruseti e cila tha se ka qenë Ilir Meta ai që bashkë me pjesëtarët e tij kanë bllokuar kantierin e rindërtimit në Kombinat pasi hapën 22 padi në gjykatë, të cilat më pas i humbën. Nënkryetarja Ruseti siguron se familjet që aktualisht e marrin bonusin e qirasë dhe jetojnë në banesa më të sigurta, do t’i marrin shtëpitë e tyre në pallatet e reja.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti ka reaguar pas denoncimit të sekretarit të Përgjithshëm të Lirisë, Tedi Blushi për rindërtimin në zonën e Kombinatit pasi ende nuk janë shpërndarë të gjitha banesat. Ruseti shkruan se ka qenë Ilir Meta ai që bashkë me pjesëtarët e tij kanë bllokuar kantierin e rindërtimit në Kombinat pasi hapën 22 padi në gjykatë, të cilat më pas i humbën.
Nënkryetarja Ruseti siguron se familjet që aktualisht e marrin bonusin e qirasë dhe jetojnë në banesa më të sigurta, do t’i marrin shtëpitë e tyre në pallatet e reja.
“Sikur të mos mjaftonte bllokimi që kukullat e Ilir Metës i bënë kantierit të rindërtimit në Kombinat, duke hapur 22 padi, e duke i humbur të gjitha, tani kanë kurajo të kërkojnë llogari pse nuk u hap kantieri!? Fiks si Zhvejku kur thoshte: “Ç'më duhet mua çfarë them unë”! Familjet që aktualisht e marrin bonusin e qirasë dhe jetojnë në banesa më të sigurta, do t’i marrin shtëpitë që ua bllokoi LSI-ja. Kurse LSI-PL do të mbetet në koshin e historisë”, shkruan ajo.