Partia e Lirisë kërkon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të zbardhur përgjegjësinë e zyrtarëve të ARRSH-së, për dëmet e shkaktuara në infrastrukturën rrugore nga viti 2014 deri në 2025-ën. Kreu i grupit parlamentar të PL-së, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat, tha se disa rrugë janë shembur ende pa u inauguruar duke i shkaktuar buxhetit rreth 4 miliard euro dëm. 

"Gjatë muajve te fundit, në mënyrë të veçantë gjatë muajit Shkurt 2026, kemi përjetuar dëmtime të jashtëzakonshme të infrastruktures rrugore të vendit, përfshirë dëmtime serioze të urave dhe veprave te tjera civile, që arriten kulmin në rrëshqitjet e trasesë së rrugës në aksin  jug-lindor, me pasoja bllokimin e tij të plotë. Dëmtime serioze patën segmentet Librazhd-Prrenjas, Qukës-Qafë Pllocë, Korçë-Ersekë, Unaza e Burrelit, Auro-moto-parku Elbasan, Dardhë-Boboshticë, Vllahinë-Pocem, Lurë-Peshkopi, Kuç-Qeparo, Memaliaj-Tepelenë, Shëngjin-Velipojë, Tuneli i Llogarase, Tuneli i Murrizit, e shumë vepra të tjera. I nje rendesie te vecante eshte segmenti Librazhd – Prrenjas, si pjese e aksit jug-lindor dhe pjese e korridorit nderkombetar VIII, pjese e Korridoreve Evropiane.  Keto demtime te akseve rrugore kane qene me pasoja te jashtezakonshme per jeten dhe shendetin e qytetareve, per transportin kombetar e nderkombetar, si dhe për ekonomine ne pergjithesi. Kryeministri dhe përfaqesues te tjere te qeverise jane shprehur se keto demtime kane ndodhur si rezultat i shirave te jashtezakonshem. Nderkohe, qe referuar sherbimit sinoptik, nuk ka patur nivele te pazakonta reshjesh", u shpreh Blushi. 

Nëntë anëtarë propozon Partia e Lirisë të ketë komisioni hetimor parlamentar për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore.

Kryetari të jetë nga Partia e Lirisë, dhe anëtarët të ndahen 3 nga grupet e opozitës dhe 5 nga mazhoranca përfshirë zëvendëskryetarin nga PS, me një afat 4 mujor.

"Duke patur parasysh se çështja e investimeve në infrastrukturë është një çështje ndërinstitucionale, ku përfshihen shumë institucione dhe entitete, Kuvendi duhet të kryejë funksionin e tij mbikëqyrës dhe monitorues", tha Blushi. 

Kërkesa për komision hetimor, për të cilën kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi kërkoi mbështetjen e deputetëve të Partisë Demokratike, merr shkas nga dëmtimet serioze të rrugëve, veçanërisht gjatë muajit shkurt që arritën kulmin me shembjen në segmentin Librazhd-Përrenjas.

Por arsyet e vërteta sipas kreut të grupit të PL-së Tedi Blushi, fshihen gjetkë.

"Ngritja e komisionit ka për qëllim zbardhjen e plotë të të gjitha veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve përgjegjëse në realizimin e rrugëve si të ishin me florinj por që janë shembur ende pa u inauguruar, nxjerrjen para përgjegjësisë", vijoi Blushi. 

 Objekti final i këtij komisioni hetimor që opozita kërkon të ngrihet në Kuvend, nuk është nxjerrja e përgjegjësive penale, por marrja e masave që të tilla abuzime me kosto të mëdha për buxhetin të mos përsëriten.

"2014-2025 janë investuar rreth 4 mld euro në infrastrkturën rrugore, vlerë e lartë, 1 km rrugë 5 – 12 fish më shtrenjtë se rrugët në vendet e be. Dëmi i shkaktuar është rreth 4 mld euro, fakton gropën e madhe të korrupsionit të kësaj qeverie", theksoi Blushi. 

 Duke cituar një sërë dëmtimesh serioze që pësuan disa segmente rrugore nga jugu në veri të vendit opozita kërkon që komisioni hetimor të zbulojë ligjshmërinë ose jo të veprimeve të institucioneve, në veçanti ARRSH-së, mbi mënyrën si janë projektuar dhe realizuar këto vepra publike dhe nëse janë respektuar standardet e ndërtimit nga kompanitë  që kanë fituar tenderët. Kërkesa duhet të mbështetet nga paktën 35 deputetë dhe PL ka kërkuar mbështetje me firma nga PD. 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë