Partia e Lirisë thotë se rritja e çmimeve të apartamenteve, nuk ka sjellë vendime pasuese të qeverisë për të ndihmuar të rinjtë të blejnë një banesë apo për ta parë të ardhmen në atdhe. Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Anisa Ibraj, thotë se kjo forcë politike ka një program të qartë për të mbështetur të rinjtë.

Deklarata e plotë 

"Rritja me 122% e çmimeve të apartamenteve në vetëm 7 vite, është pasqyra më e qartë e dështimit të politikave ekonomike të kësaj qeverie.  Ndërsa çmimet e banesave rriten pa kontroll, pagat mbeten të ulëta, papunësia e të rinjve vazhdon të jetë një plagë e hapur dhe korrupsioni vazhdon të vjedh paratë që duhet të shkonin për mirëqenien e qytetarëve. Sot, një i ri në Shqipëri nuk e ka të vështirë vetëm të blejë një shtëpi, ai e ka të vështirë të ndërtojë jetën e tij. Mungesa e mundësive, punësimi i pasigurt dhe kostot e papërballueshme të jetesës e kane detyruar rininë të largohet nga vendi. Prandaj programi i Partisë së Lirisë, 5 Prioritete për 4 milion shqiptarë plus, përmban politika të dedikuara për çiftet e reja dhe të rinjtë, 20 mijë euro kredi për çiftet e reja, me interes të paguar nga shteti. Krijimin e Fondit të Banesave për çiftet e reja, sipas modelit hungarez, duke vënë në dispozicion banesa me kosto të përballueshme. Kredi për blerjen e banesës me interes të subvencionuar, ku kredia ulet me 3 000 euro për fëmijën e parë, 6 000 euro për të dytin dhe 10 000 euro për të tretin. Zero sigurime shoqërore dhe shëndetësore për 12 muajt e parë të punësimit për të rinjtë nën 30 vjeç dhe përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat deri në moshën 25 vjeç. Grante deri në 20 mijë euro për të rinjtë që hapin një biznes social apo start-up, mbështetje për inovacionin dhe stimuj fiskalë për sipërmarrësit e rinj. Programin “Youth Guarantee”, që garanton punësim, praktikë ose trajnim për çdo të ri, në mënyrë që askush të mos mbetet pa perspektivë. Mbështetje të plotë për sipërmarrjen e të rinjve, me stimuj fiskalë, grante dhe financim për start-up-et, inovacionin dhe teknologjinë. Mbështetje për studentët ekselentë, me financim për hapjen e bizneseve dhe subvencionim të interesave të kredive sipërmarrëse. Lehtësira fiskale për gratë sipërmarrëse, përfshirë zero tatimfitimi në vitin e parë, subvencionim të sigurimeve dhe kredi të buta për zhvillimin e biznesit. Parate e shqiptarëve duhet të shkojnë për rritjen e pagave, mbështetjen e familjeve të reja, punësimin e të rinjve dhe strehimin e tyre, jo të humbasin në korrupsion, shpërdorim dhe afera që rëndojnë mbi taksapaguesit. Ky është angazhimi i Partisë së Lirisë, t’u kthejmë të rinjve shpresën, mundësitë dhe të ardhmen në Shqipëri"