Partia e presidentit Gjukanoviç del kundër Abazoviç: Bëri marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe pa u konsultuar me publikun

Partia e presidentit Gjukanoviç del kundër Abazoviç: Bëri marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe pa u konsultuar me publikun

Milo Gjukanoviç

Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviqit vendosi njëzëri që të ndërpresë mbështetjen për Qeverinë e Malit të Zi të udhëhequr nga Dritan Abazoviç.

Arsyeja është Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe e cila u votua nga shumica e ministrave e Qeverisë së Abazoviqi të premten, më 8 korrik. DPS-ja deklaroi se marrëveshja me Kishën Serbe kërcënon interesat shtetërore të Malit të Zi.

Nga partia e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, vlerësuan se Qeveria ndryshoi kursin politik për të cilin ishte rënë dakord me formimin e saj.

“Qeveria braktisi detyrën prioritare të përmbushjes së detyrimeve nga agjenda e integrimit evropian dhe me nguti, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa u konsultuar me publikun profesional, bëri marrëveshje me Kishën Ortodokse, duke i shkaktuar dëm të pallogaritshëm interesave shtetërore të Malit të Zi”, u tha në njoftimin e DPS-së.

Partia e Gjukanoviqit në Kuvendin e Malit të Zi ka 29 deputetë dhe është forca kryesore politike që ka mbështetur Qeverinë e pakicës së Abazoviqit, e cila nuk ka ministra të saj.

Qeveria e Dritan Abazoviqit u formua më 28 prill, pasi në shkurt të këtij viti u rrëzua Qeveria e mëparshme e Zdravko Krivokapiqit me iniciativën e Dritan Abazoviqit, i cili ishte zëvendëskryeministër në atë ekzekutiv.

Menjëherë pas njoftimit të DPS-së, ka folur kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili ka përshëndetur vendimin e kryesisë së DPS-së.

“Është përgjegjësi kur nuk ke mundësi ta ndihmosh shtetin, të paktën mos e vështirëso situatën. Do të shohim se cili është qëndrimi i shumicës së deputetëve”, ka shkruar Abazoviq në Twitter.

Abazoviq inicioi dhe zbatoi procedurën me të cilën u miratua teksti i Marrëveshjes themelore me Kishën Ortodokse Serbe përkundër paralajmërimeve nga partitë partnere në pushtet, në radhë të parë DPS-së, Partisë Socialdemokrate dhe një pjesë të partive të pakicës, si dhe opozita Socialdemokrate, për dëmin e asaj marrëveshjeje për interesat e Malit të Zi.

Gjatë diskutimit në Qeveri, Abazoviq ka pranuar se pjesë Marrëveshjes Themelore nuk janë harmonizuar plotësisht me ligjet dhe Kushtetutën e Malit të Zi, por ka insistuar në miratimin e saj.

Pas Qeverisë së Malit të Zi, marrëveshja duhet të miratohet nga Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe, dhe më pas Abazoviq dhe Patriarku Porfirije i Kishës Ortodokse Serbe duhet të bien dakord për datën dhe vendin e nënshkrimit.

Ndërsa Partia Socialdemokrate, zyrtarë të së cilës janë ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes, ka paralajmëruar fillimin e procedurës për shkurtimin e mandatit të Kuvendit të Malit të Zi./ REL

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja