Partia e Topit, Noka e Klosi
bëjnë llogaritë PD-PS për 2013

Partia e Topit, Noka e Klosi<br />bëjnë llogaritë PD-PS për 2013
Sekretari i Organizimit në PD, Flamur Noka, dhe Sekretari i Organizimit në PS, Blendi Klosi thotë për gazetën "Shqiptarja.com" se ku do mbështetet fitorja e PD dhe PS më 2013.

NOKA TOPI S'NA DEMTON MERR VOTA TE MAJTA
Sekretari i Organizimit në PD, Flamur Noka për "Shqiptarja.com" thotë se skema kyçe e fitores së PD mbetet koalicioni, ndërkohë që për të partia e re e Topit merr vetëm vota të majta.

Zgjedhjet po afrojnë, cilat janë përgatitjet e PD, teksa shihet qartë se si parti, në zgjedhjet e fundit keni më pak vota se PS, por me aleatë të fuqishëm jeni në qeverisje në dy mandate?
Partia Demokratike e ka në filozifinë e saj bashkëpunimin me partitë aleate dhe formimin e koalicioneve funksionale dhe të qëndrueshme. Organizimi dhe funksionimi i koalicionit për PD, si dje në opozitë, ashtu dhe sot në pushtet ka qënë një prioritet real dhe shumë efikas që ka prodhuar vetëm rezultate pozitive, si për maksimalizimin e votës ashtu dhe për qeverisjen e vendit.

Po për zgjedhjet e ardhshme....?
Në zgjedhjet e ardhshme ne do të synojnë një zgjerim akoma më të madh të koalicionit dhe sigurisht kjo do një vëmendje maksimale, gjë të cilën PD e ka bërë dhe e ka në ADN-në e saj që ta bëjë. Këtë skemë e e konsiderojmë një skemë kyçe për maksimilimin e votës në zgjedhjet e ardhshme, gjithnjë duke u përqëndruar shumë në rritjen e mbështetjes për vetë PD.

Më konkretisht mbi ç'baza do të bëhet koalicioni....?
Ne kemi treguar në vijimësi se dimë të bëjmë koalicione efektive dhe të respektojmë aleatët tanë. Kjo skemë na jep sigurinë maksimale për një fitore akoma më të thellë se në zgjedhjet paraardhëse, që është dhe skema e vetme e mundshme për maksimalizimin e votës për mazhorancën dhe koalicionin tonë zgjedhor.

Tashmë në skenën politike po dalin parti të reja, siç është ajo që pritet të shpallet tani dhe që mendohet të jetë e Topit, apo e ish-nënkryetarit të KLD, Spahiu, mendoni se mund të marrin vota nga spektri i djathtë politik?
Dalja në tregun e politikës e partive të reja politike, nuk krijonë asnjë problem për Partinë Demokratike dhe mazhorancën e djathtë. PD i sheh me mospërfillje këto inciativa politike të individëve të caktuar për të krijuar formacione të reja. Partia e Topit apo dhe e të tjerëve që do të krijohen nuk do kenë impakt. Pasi duke marrë parasysh tërë përvojën e deritanishme të krijimit të partive në spektrin politik shqiptar dhe sidomos në kampin e djathtë që kanë qënë një flluskë sapuni mendoj se një fat të tillë do të kenë dhe këto dy parti që pritet të krijohen.

Pra mendoni se nuk do marrin vota nga e djathta...?
Unë mendoj se çështja për këto formacione të reja politike që mund të lindin qëndron tek vendi që do të zënë në spektrin politik dhe më saktë se ku do ta kërkojnë votën në ballafaqimin e parë elektoral e në vijim. Mendoj se 21 janari dhe zgjedhjet e fundit vendore të 8 majit të vitit të kaluar treguan se presidenti aktual Topi u nda nga qendra e djathtë dhe e djathta, kështu që s'mund të kërkojë vota në këtë spektër politik. Mendoj se partia që mendohet se do të krijojë Topi ka vend për të kërkuar vota vetëm tek e majta, pasi të majtën ka përkrahur vitet e fundit. Kështu dhe për partitë e tjera që sipas deklaratave publike do të krijohen.

Po largimin e deputetit Oketa, si e komentoni dhe sa dëm mund të sjellë në PD një ikje e tillë?
Lëvizja e deputeti Gazmend Oketa jashtë grupit parlamentar të PD dhe drejt partisë së re të Topit që thuhet se do të krijohet ishte e pritshme. Kështu numërori i Topit shkoi te Topi, dhe për ne nuk përbën asnjë lloj problemi, nuk ka asnjë lloj ndikimi as te mazhoranca dhe as në mbështetjen e PD në bazë.

KLOSI: NE FITOJME ME VOTAT E PS E ALEATEVE
Sekretari i Organizimit në PS, Blendi Klosi thotë për gazetën "Shqiptarja.com" se ku do mbështetet fitorja e PS më 2013.

Kur ka mbetur një vit nga zgjedhjet, si po përgatitet PS?
Partia Socialiste e Shqipërisë tashmë është futur në vitin e saj elektoral, vit i cili do shkojë deri në ditën e zgjedhjeve, qofshin ato me procedurën normale në verën e vitit të ardhshëm, qofshin dhe ato të parakohëshme. Strukturat tona janë bërë gati.

Që do të thotë...?
Ne s'shikojmë nëse ikin vota nga e djathta ose jo. Ne do shikojmë maksimilizimin e votës sonë, duke shtrënguar radhët tona, duke punuar fort në përgatitjen e stukturës sonë, duke punuar shumë me elektoratin. Ajo që ne synojmë në garën e ardhshme elektorale është se s'do jetë një fitore sepse bie Sali Berisha, por do jetë një fitore e njerëzve, të cilët kërkojnë ndryshimin e Shqipërisë. Ky është debati e vizioni ynë, ky është vizioni i programit tonë. Ne do shkojmë në çdo familje shqiptare, do kontaktojmë çdo grup interesi apo njeri të interesuar për të ndryshuar këtë vend.

PS më shumë vota se PD, por në opozitë, si do zgjidhet kjo..?
Shpresojmë që fitoja jonë, jo vetëm numerike por dhe në frymë, mesazh dhe në ndjesi, do jetë fitore e njerëzve që duan që ky vend të ndryshohet e të qeveriset më mirë. Përsa i përket shifrave elektorale, natyrisht qe ne do hapim koalicionin tonë aq të madh, për të gjithë ata që kërkojnë të votojnë kundër Sali Berishës, koalicion aq të gjërë për të gjithë ata që s'duan që Sali Berisha të jetë më kryeministër, koalicion aq të fortë sa me votat që do marrim, të mbulojnë tërë spektrin e majtë, por dhe mbi, duke marrë dhe votat e të pakënaqurve nga kjo qeveri.

Partitë e reja të djathta do ia japin një "dorë" PS...?
Edhe konfiguracionet e reja politike që po krijohen natyrisht janë në fokusin tonë, duke i parë ato si koalicione më shumë në të djathtë, për të marrë votën që nuk e ka respektuar Sali Berisha nga e djathta. Por pa dyshim ne do vazhdojmë të kërkojmë fort votën e majtë, votën e njerëzve që besojnë tek ndryshimi që do sjellë PS, sepse mendojmë që kjo është arma jonë më e fortë. Ne i kemi votat tona. Ne gjatë këtij viti do forcojmë strukturën organizative, angazhimin e PS, mbledhjen e çdo vote socialiste dhe puna me 'target grup' që gjendet vetëm te programi ynë. Këtë e gjejnë jo vetëm ata që e votojnë programin tonë, por dhe ata që kanë dyshime e pikëpyetje për të sqaruar, për t'ju afruar të gjithë shqiptarëve një momentum të ri në jetën e tyre.

Por gjithnjë PS është ankuar se i është vjedhur vota...?
Puna e strukturës socialiste, e lidhur edhe me punën për reformën elektorale, do theksojë mbrojtjen e votës e garancinë që vota e shqiptarëve do numërohet drejt. Puna që po bëjnë dhe anëtarët tanë në Komision është e fokusuar qartë në disa aspekte. Por mendoj që garancia e unicitetit votues e garancia e numërimit të votës drejt janë pikat më esenciale të saj. Anëtarët tanë në komision kanë punë për t'ju shpjeguar jo vetëm anëtarëve të qeverisë apo forcave të djathta, por dhe opinionit publik se ka shumë nevojë që shteti të mos përzihet me pushtetet.

Mendoni se do t'i bllokoni...?
Ne do kërkojmë me insistim garanci ligjore për moslejimin e hedhjes së të gjithë shtetit në garë elektorale. Në sensin jo si forcë politike, por në përdorimin e gjithë makinerisë shtetërore, parasë për reklamë shtetërore e gjithë parave të korrupsionit. Ashtu sikurse po punon tani për blerjen e TV-vë, gazetave, lajmin apo opinionin. PS ka një punë të madhe për të luftuar me një forcë kaq të madhe korruptive. Mendoj që do jemi të fituar, me një rezultat fitues sepse kemi aleancë me antikorrupsionin.

Dhe zbutja e toneve ndaj Nanos ndikon në thithjen e votës..?
PS është partia më e madhe në vend, ka mbështetjen e më shumë se gjysmës së popullsisë. Ajo që na takon ne është që, do jemi të qartë që të pranojmë çdo votë që është kundër Sali Berishës.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)