TIRANE- Partia Demokratike i del në mbrojtje Xhelal Mziut duke e cilësuar arrestimin e tij si një terror policesk. Nëpërmjet një deklarate për mediat nga Bashkia e Kamëz, deputeti i PD-së, Arben Ristani akuzoi qeverinë se po manipulon me arrestimin e Mziut, duke i dal në këtë mënyrë në mbrojtje kryetarit të PD-së dega Kamëz, njëkohësisht edhe kryetari i Bashkisë së Kamzës. “Arrestimi i z.Xhelal Mziu, kryetarit të Bashkisë Kamëz, i zgjedhur dy herë radhazi me përkrahjen e madhe të popullit të kësaj Bashkie, bërë në kushtet e një terrori policor dhe i shoqëruar me manipulimin mediatik, me shpifje mbi bashkëshorten dhe familjen, ngre pikëpyetjet e para mbi implikimet politike të këtij procesi.

Diskreditimi mediatik familjar duke shpifur për rrethana që nuk kanë ekzistuar kurrë, vendimi për arrestimin i marrë në mungesë, duke mos u njoftuar i akuzuari paraprakisht dhe duke ju mohuar e drejta kushtetuese dhe ligjore për tu shprehur për akuzat e ngritura, vetë kjo masë e rëndë sigurie e aplikuar ndaj një të zgjedhuri nga populli, kur nuk ekzistojnë rrethanat e flagrancës dhe rreziku për tju shmangur hetimit, na bëjnë të kemi dyshime serioze mbi rastin konkret. Fillimi në këtë mënyrë i procesit na bën ti marrim me shumë rezervë të gjitha provat e pretenduara më pas.

Për sa kohë policia e shtetit është nën ndikimin e plotë politik, procesi bëhet më shumë mediatik sesa ligjor, kur nuk njohim versionin e të akuzuarit dhe jemi nën ushtrimin e pushtetit të tritolit, jemi të gjithë ekstremisht të preokupuar për mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës”,- theksoi Ristani. Në vijim të deklaratës së tij mbrojtëse ndaj kreut të Bashkisë Kamëz, deputeti demokrat theksoi se PD-ja është për shtetin ligjor por që sipas tij, policia është kthyer në një instrument të politikës gjë kjo që sipas tij e bën dyshues arrestimin e Mziut.

“Ngjarjet e kohëve të fundit në Kamëz tregojnë për një angazhim të turpshëm të strukturave të policisë dhe të Partisë Socialiste në një fushatë ndëshkimi ndaj demokratëve në këtë zonë, dhe ndaj Bashkisë, vetëm e vetëm, sepse këtu demokratët kanë qenë, janë dhe do të jenë, shumicë, qëndrestarë e të papërkulur”, tha Ristani.

Shkrimi u publikua sot (27.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)