Takimi permanent i së dielës me drejtues të rinj, sekretarë degësh, sekretarë organizativë dhe simpatizantë të Partisë Lëvizja Shqipëria e Re (PLSHR) pati të tjera befasi, tjetër entuziazëm dhe më shumë besim se kjo forcë politike do të jetë surpriza e vetme e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Para më shumë se një mijë të pranishmëve kanë përshëndetur të gjitha kandidaturat e dymbëdhjetë qarqeve. Kreu i PLSHR Edmond Vlashaj, që e mori fjalën në këtë takim, tha ndër të tjera se rreth projektit të Shqipërisë të Re po bashkohen gjithnjë e më tepër përkrahës, sidomos gjenerata të reja, sipërmarrës të vegjël dhe të mesëm dhe njerëz të thjeshtë dhe pa përkrahje.

PLSHR është e pranishme në çdo familje shqiptare sepse ka alternativën dhe programin më realist për plotësimin e nevojave më imediate. Ne sapo kemi përuruar zyrën “Multimedia 77” që përmbledh brenda saj një gazetë të përditshme që shpërndahet falas në 20 mijë kopje në Shqipëri dhe Kosovë, një revistë të përkohshme e një lloji të veçantë, disa sajte të komunikimit të përditshëm, një ëeb-televizion dhe kontakti njerëzor që realizojmë me drejtues të kahershëm dhe të rinj që i bashkohen kauzës sonë.

Gjithashtu zoti Vlashaj tha se “Ju bëj thirrje të gjithë sekretarëve të degëve të PLSHR, të gjithë aktivistëve dhe idealistëve të PLSHR, si dhe të gjithë miqve dhe simpatizantëve të PLSHR. Tregojeni veten! Tregojuni edhe të tjerëve se cila është fuqia e secilit prej nesh dhe cila është forca e të gjithë ne së bashku! Kauza jonë për Drejtësi dhe Zhvillim është kauza më e drejtë dhe më e domosdoshme për çdo shqiptar si dhe për çdo familje shqiptare.

Aktivizohuni kudo, në çdo forum dhe në çdo debat në mediat online, në rrjetet sociale dhe në çdo hapësirë tjetër të komunikimit publik dhe politik. Merrni pjesë në mënyrë aktive në sondazhet që zhvillohen dhe votoni masivisht PLSHR. Ftoni të gjithë miqtë tuaj ta bëjnë këtë gjë në mënyrë aktive dhe energjike. Sondazhi në shqiptarja.com, duhet bombarduar me votat tona; Kauza jonë për Drejtësi dhe Zhvillim duhet të dalë fitimtare në këto zgjedhje. Të fillojmë të tregojmë se kush jemi, dhe sa jemi që tani! Votoni Partinë Lëvizja Shqipëria e Re! Votoni PLSHR”!

(v.gj/shqiptarja.com)