Pas 120 ndeshjeve në krye të Tiranës, Orges Shehi nga 5 tetori i këtij viti nuk është më trajneri i bardhebluve. Klubi kryeqytetas vendosi të largojë trajnerin për mungesë rezultatesh dhe në vendin e tij uli në stol Julian Ahmataj.
Largimi i Shehit nuk ishte i qetë në kampin e 26 herë kampionëve të vendit. Në deklaratën zyrtare, klubi theksonte se trajneri ishte i pezulluar dhe nën kontratë deri në fundin e sezonit, duke mos dashur që durrsaku të firmoste me rivalët e Partizanit.
Frika e Tiranës pritet të bëhet realitet pas pak ditësh, me Shehin dhe Partizanin që kanë akord për stolin. Jo më kot për pesë javë "Demat e Kuq" nuk e kanë një trajner dhe rolin në stol e ka mbajtur me sukses (pesë fitore) drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj.
Të gjitha gjasat janë që java që vjen të sjellë edhe zyrtarizimin e Shehit te të kuqtë, teksa çështja e kontratës është në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve. Do jetë FSHF-ja ajo që do vendosë pikat mbi "i", teksa pritet që Shehi të jetë i Partizanit.
Veç tij, te të kuqtë si ndihmësa të 46-vjeçarit do jenë Artan Karapici dhe Sebino Plaku, dy zyrtarët që u larguan nga Tirana së bashku me Shehin.