Partizani i ka shkuar shumë pranë kualifikimit në turin e tretë të Europa League, por rastet e humbuara e kanë ndëshkuar kundër Sherif Tiraspol, që në ndeshjen e zhvilluar në Moldavi arriti të kalonte më tej falë rezultatit 1-1. Në sfidën e dytë të vlefshme për turin e dytë eliminator kampionët e Shqipërisë u paraqitën mjaft mirë, ndryshe nga ndeshja e parë që lanë për të dëshiruar.

Pas një loje të balancuar fillimisht, Partizani i drejtuar nga Lerda arriti të zhbllokonte shifrat në minutën e 29 me Jasir Asanin, që konkretizoi një aksion model të të kuqve. Ky episod mjaftoi për të rritur presionin te vendasit, që gjithsesi pavarësisht tentativave nuk arritën të barazonin në pjesën e parë.

Në fraksionin e dytë të lojës Partizani pati rastin ideal për të dërguar shifrat në 0-2 dhe për t’I dhënë një goditje të fortë Sherif Tiraspolit, por nga shumë afër braziliani Cordero nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë. Pas këtij rasti u vërtetua edhe ligji i pashkruar I futbollit, kush nuk shënon e pëson. Dhe këtë herë për fat të keq e pësoi Partizani. Në minutën e 63 gjatë zhvillimit të një goditje dënimi N’Diaje barazoi shifrat, duke shtangur kampionët e Shqipërisë që po zhvillonin një lojë model.

Për rastin pati shumë kontestime të arbitri, madje në një rast u duk sikur e anuloi golin, por si përfundim u cilësua i vlefshëm. Lerda më pas ndërhyri duke bërë disa ndryshime, por që nuk rezultuan deçizive për fatin e ndeshjes. Në fund ajo që vlen është se Partizani nuk kaloi asnjë tur në Europë, pasi fillimisht u eliminua nga Qarabag në Champions League dhe tani nga Sherif Tiraspol në Europa League. Kjo e fundit një humbje që I heq edhe 280 mijë euro klubit, para të cilat do t’I përfitonte nëse kualifikohej për turin e tretë.