TIRANË - Superliga shqiptare e futbollit është në përgatitje të raundit të 23-të. Katër ndeshjet e kësaj jave do luhen të premte (nesër), ndërsa derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Dinamos do luhet të shtunën.
Partizani, klubi i cili festoi dje 80 vjetorin e themelimit, do përballet kundër Bylisit në "Adush Muça" të Ballshit. Nesër në orën 13:30 të dyja skuadrat do kenë si qëllim tri pikët, pasi objektivat e sezonit janë të ndryshme.
Në prag të sfidës, për mediet foli trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja. Ai tha se të tijtë futen në fushë vetëm për tri pikë, duke mos menduar për rezultatin e rivalëve në garë.
Kërnaja sqaroi se paniku për gjendjen e Saliu Sembenes ka kaluar, me analizat që treguan se mbrojtësi 24-vjeçar kishte thjesht luhatje tensioni.
"-Gjendja ekipit në prag të ndeshjes me Bylisin?
Së pari dua të uroj të gjithë familjen e kuqe për ditën e 80 vjetorin të Klubit të Futbollit Partizani, por edhe të shumësportëshit Partizani, i uroj të kenë sa më shumë suksese dhe sa më shumë trofe. Për të vijuar me pyetjen tuaj, ekipi është në gjendje të mirë. Pas një ndeshjeje të mirë ndaj Elbasasit po mundohemi të rikuperojmë pak energjitë, ndoshta të akumuluara nga vrapimet e shumta ndeshjen e fundit, por jemi mirë dhe në formë për ndeshjen e radhës.
-Si e vlerësoni ekipin e Bylisit?
Sigurisht që Bylis është një ekip i fortë, sidomos në fushën e tyre, kanë treguar gjithmonë se dinë të luajnë futboll shumë të fortë, shumë agresiv. Eshtë një kundërshtar për t'u vlerësuar. Ne si ekip thjesht do bëjmë detyrën tonë, do hyjmë në fushë vetëm për të marrë tre pikë, të cilat tashmë na duhen më shumë se çdo herë.
Pas ndeshjeve të mira ka ardhur koha për të marrë tre pikët. Kemi ndjekur dy ndeshjet e fundit të Bylisit në “Air Albania” me Dinamon, janë ekip shumë cilësor, agresiv dhe sidomos në fushën e tyre janë ekip shumë i fortë.
-Në fazën e kaluar, pikërisht përpara ndeshjes ndaj Bylis deklaruat se do të merrnit 9 pikë. Mund ta bëni sërish të njëjtën deklaratë?
Atëherë ka qenë momenti për të bërë një goditje, një hov për çunat. Tashmë ata e dinë që çdo ndeshje vlerësohet maksimalisht, hyjnë për tre pikë në çdo ndeshje. Nuk mendojmë fare për tre ndeshjet e tjera sepse kemi 10 ditë shumë të ngarkuara. Kemi ndeshje të kampionatit, të Kupës, ndeshje tjetër përsëri kampionati. Mendojmë vetëm për ndeshjen që luajmë nesër në Ballsh.
-Në ndeshjen e parë në Ballsh jeni mundur 3-1...
Të them të drejtën kanë qenë situata krejt të ndryshme. Në stadiumin “Adush Muça” ka qenë një ekip tjetër. Mund të themi që të jemi pak më konkret para portës, golat po vijnë, nuk është më si dikur që s’bënim dot gol, golat po shënohen. Duhet të jemi të kujdesshëm mbrapa, mos marrim disa gola si ndeshjen e fundit.
-Gjendja e mbrojtësit Sembene?
Sembene është stërvitur rregullisht me grupin pas atij kolapsi që i ndodhi. Sipas mjekëve, thjesht ka patur luhatje tensioni. Eshtë në rregull, është stërvitur dhe i gatshëm për ndeshje.
-Ndryshimet te Bylisi në merkato. Mendoni se është momenti më i mirë për t'u përballur me ta tani?
Ka të dy anët, mund të jetë pozitive dhe negative sepse informacionin për Bylisin nuk e dimë saktësisht duke qenë se kanë ndryshuar shumë lojtarë, si do luajnë, cilësitë e lojtarëve mbeten për t'u parë në fushë. Më shumë se 70 % e ekipit të Bylisit është ndryshuar nga ndeshja me Dinamon. Kjo gjë ka të dy anët e medaljes, shpresojmë që të jetë ana e mirë për ne.
-Të shtunën luhet derbi Tirana - Dinamo...
Të them të drejtën s’më intereson shumë. Më intereson vetëm ekipi im. Vetëm kur të përballem me ta fillon pak interesi. Momentalisht shoh vetëm ndeshjen tonë të radhës.
Djemtë kanë dhënë maksimumim, edhe ndeshjen e kaluar kanë dhënë më shumë se maksimumi. Sigurisht festa e 80 vjetorit është një shtysë, siç festuam mbrëmë ta kthejmë festë edhe në fushë nesër", tha Kërnaja.
Pas javës së 22-të Partizani me 27 pikë (sa Teuta) mban pozitën e pestë në renditje. Ndërkohë Bylisi kërkon pikët pasi ndodhet në vendin e tetë (me 20 pikë) dhe rrezikon mbijetesën.
Superliga shqiptare e futbollit, raundi i 23-të:
E premte, 06 shkurt 2026
13:30 Bylis - Partizani
13:30 Vllaznia - Vora
16:30 AF Elbasani - Teuta
19:00 Flamurtari - Egnatia
E shtunë, 07 shkurt 2026
13:30 Tirana - Dinamo ('Selman Stërmasi')
Renditja:
Komente











