Sherif Tiraspol ka rezultuar një kundërshtar më I vështirë se ç’pritej nga Partizani. Skuadra moldave ka fituar 0-1 në kryeqytet ndaj kampionëve të Shqipërisë në ndeshjen e parë për turin e dytë eliminator të ‘Europa League’. Takimi në ‘Selman Stërmasi’ u vulos nga goli i futbollistit Tambe, që në minutën e 23 nuk pati të vështirë të realizonte me portën thuajse të boshatisur.
Në pjesën e parë, por edhe në të dytën Sherif Tiraspaol pati raste të pastra për të dyfishuar, por në disa raste ishin të pasaktë futbollistët miq ndërsa në disa të tjerë deçiziv u tregua portieri Alban Hoxha. Ndërkohë në këtë sfidë Partizani zhgënjeu jo vetëm në rezultat, por edhe në lojë. Diçka e cila ishte vlerësuar si pozitive në dy sfidat e Championsit kundër Karabag.
Tani të kuqtë do të luajnë gjithçka për gjithçka në sdidën e kthimit e cila luhet të enjtën e ardhshme në Moldavi. Në lojë është jo vetëm prestigji, por edhe 280 mijë eurot e akorduara si shpërblim nga UEFA për raundin e tretë.