Sot më 27 maj 2026, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nisi xhirimet arkivale, pas plotë 27 vitesh.

Ky është një hap i rëndësishëm që i jep Arkivit një mundësi më shumë për të dokumentuar jetën shqiptare dhe për të ruajtur kujtesën kolektive të kohës sonë. Xhirimi i fundit arkival në AQSHF datonte në vitin 1999.

Xhirimi i sotëm dokumenton faljen e Bajramit në qendër të Tiranës, si çast i rëndësishëm i jetës shpirtërore dhe sociale të vendit.

Po çfarë janë xhirimet arkivale?

Xhirimet arkivale janë pamje filmike ose video të ruajtura nga e kaluara, të cilat përdoren në dokumentarë, lajme, filma apo emisione për të sjellë dëshmi autentike të ngjarjeve, njerëzve dhe periudhave historike. Ato dokumentojnë realitetin e një kohe të caktuar dhe mbeten një pasuri e çmuar për brezat që do të vijnë.

Pse janë të rëndësishme për një arkivë filmi xhirimet arkivale?

Sepse ruajnë kujtesën historike, kulturore dhe artistike të një shoqërie. Përmes tyre dokumentohen ngjarje, mënyra jetese, tradita dhe zhvillimi i kinemasë ndër vite. Xhirimet arkivale shërbejnë gjithashtu si burim i vyer për studiues, regjisorë, gazetarë dhe për këdo që dëshiron të kuptojë dhe të rikthejë në vëmendje historinë tonë.

Çdo javë, nga një punë e mirë për kujtesën filmike shqiptare dhe për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Urime për këtë punë të bukur regjisorit të ri D Haruni.