Presidenti amerikan Barack Obama do të bëjë një vizitë historike në Kubë "në javët e ardhshme". Njoftimi është bërë nga një zyrtar i lartë i administratës Obama. 

"Ne mund të konfirmojmë se administrata do të shpallë udhëtimin e presidentit në Amerikën Latine në javët e ardhshme, duke përfshirë Kubën," tha zyrtari i lartë amerikan. Sipas mediave amerikane kjo vizitë do të zhvillohet në muajin mars. 

Vizita e Obamës do të shënojë përfundimin e përpjekjeve të tij për të rivendosur marrëdhëniet me ishullin komunist pas një gjysmë shekulli tensione mes Uashingtonit dhe Havanës. Kjo do të jetë vizita e parë e një presidenti amerikan që nga viti 1928.

Në dhjetor të vitit 2014, Obama dhe lideri kuban Raul Castro habitën botën kur njoftuan se kishin zhvilluar negociata sekrete për shkrirjen e marrëdhëniet mes dy vendeve, duke filluar me rifillimin e marrëdhënieve të plota diplomatike.

Redaksia online
(Shqiptarja.com)