Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Kimberly Guilfoyle të japë dorëheqjen nga detyra e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Greqi, pas një sërë raportimesh që ngritën pretendime për sjellje të papërshtatshme gjatë kohës që ushtronte detyrën.
Lajmin e konfirmoi të martën zëdhënësja e re e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, gjatë konferencës së saj të parë për mediat.
"I kemi kërkuar ambasadores Guilfoyle të japë dorëheqjen. Ajo ka qenë një pjesë shumë e vlefshme e ekipit tonë dhe i urojmë suksese", tha Zacharia.
Përfaqësuesit e Guilfoyle nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të mediave për një koment lidhur me vendimin.
Kërkesa për dorëheqje vjen pas raportimeve se Guilfoyle dyshohet se kishte kërkuar para në këmbim të sigurimit të aksesit te figura të administratës amerikane përpara se të konfirmohej në detyrë nga Senati. Po ashtu, raportimet pretendojnë se ajo kishte pranuar dhurata të kushtueshme gjatë kohës që shërbente si ambasadore dhe kishte marrë me vete në takime zyrtare një lobist të një kompanie greke ndërtimi.
Avokatët e saj i kanë mohuar këto pretendime. Ata thanë se akuzat për kërkesë parash janë të pavërteta, ndërsa raportimet mbi udhëtimet dhe përfitimet e saj i cilësuan si mashtruese. Sipas tyre, Guilfoyle ka respektuar të gjitha kërkesat federale për pranimin dhe deklarimin e dhuratave.
Largimi i saj do të shënonte edhe fundin e rolit të një prej figurave më të njohura të lëvizjes MAGA, e cila ka ruajtur lidhje të afërta me familjen Trump. Guilfoyle ishte e fejuar për katër vjet me Donald Trump Jr., djalin e madh të presidentit Donald Trump. Pas ndarjes së tyre, ajo u emërua ambasadore e SHBA-së në Greqi dhe mori detyrën në shtator të vitit 2025.
Në qendër të raportimeve është edhe dëshmia e Eric Deters, një ish-donator i Donald Trump. Ai deklaroi se pak ditë para konfirmimit të Guilfoyle në Senat kishte marrë një mesazh prej saj, ku i kërkohej të transferonte 100 mijë dollarë për të shlyer një kartë krediti "American Express". Sipas Deters, Guilfoyle i kishte premtuar se do të ishte "ride or die" për të në administratën Trump nëse ai e ndihmonte financiarisht.
"Nuk ka asnjë dyshim se ishte një shkëmbim favorsh", deklaroi Deters në një intervistë për CNN.
Ai tha se nuk ia dërgoi paratë, pasi nuk dispononte likuiditetin e nevojshëm në atë moment.
Në reagimin e tyre, avokatët e Guilfoyle thanë se Deters i kishte borxh para klientes së tyre për fjalime dhe shërbime konsulence. Ata i cilësuan deklaratat e tij të rreme dhe argumentuan se kërkesa për të marrë pagesat për punën e kryer nuk përbën korrupsion.
"Kur zonja Guilfoyle po përgatitej të linte jetën private për t'iu përkushtuar shërbimit publik, ajo bëri atë që do të bënte çdo profesionist: u përpoq të mblidhte pagesat e papaguara. T'i kërkosh një klienti të paguajë për punën e kryer nuk është korrupsion. Është e kundërta e korrupsionit", thuhet në deklaratën e avokatëve.
Një ditë para njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, presidenti Donald Trump kishte konfirmuar se administrata po shqyrtonte mundësinë e largimit të saj.
"Po e shqyrtojmë. Nuk jemi të kënaqur", u tha Trump gazetarëve teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndodhej në Greqi kur u publikuan për herë të parë raportimet për skemën e pretenduar "pay for play", të raportuar nga Wall Street Journal. Gjatë vizitës në Athinë, Guilfoyle mori pjesë në disa aktivitete zyrtare përkrah Rubios.
Më herët, Wall Street Journal kishte raportuar gjithashtu për pretendime se Guilfoyle kishte promovuar interesat e një kompanie greke të energjisë në marrëveshje rajonale të këtij sektori.
I pyetur nga gazetarët për raportimet, Rubio refuzoi t'i komentonte ato dhe doli në mbrojtje të ambasadores.
"Ju ecni duke menduar se, vetëm sepse një burim ju tha diçka dhe ju e raportuat, ajo është e vërteta absolute. Nuk është e vërteta absolute. Të paktën jo për mua. Kështu nuk funksionojmë ne", deklaroi ai përpara se të largohej nga Athina, ndërsa Guilfoyle ndodhej pranë tij.
Raportimet shkaktuan reagime edhe në Kongres. Demokrati Gregory Meeks, anëtari më i lartë demokrat në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, kërkoi që Guilfoyle të paraqitej përpara komisionit dhe të sqarohej nëse kishte kërkuar fonde edhe nga persona të tjerë.
Pas njoftimit se asaj i ishte kërkuar dorëheqja, demokratët në Komisionin e Punëve të Jashtme deklaruan në rrjetin X se largimi nga detyra nuk e përjashton nga përgjegjësia.
"Guilfoyle përdori pozicionin e saj si zyrtare e administratës Trump për t'u pasuruar, ndërsa familjet amerikane përballen me koston e lartë të jetesës. Kongresi duhet të ushtrojë mbikëqyrje për të kuptuar se si ndodhi kjo dhe të kërkojë llogari nga administrata", thuhet në reagimin e demokratëve.
Ndërkohë, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në Departamentin amerikan të Shtetit ka nisur një hetim lidhur me pretendimet për sjellje të papërshtatshme, sipas një burimi në dijeni të procesit.
Një zëdhënës i kësaj zyre deklaroi se, si politikë institucionale, nuk konfirmohen dhe nuk komentohen hetimet në zhvillim.
Mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me hetimin pas largimit të Guilfoyle nga posti. Sipas një burimi të njohur me funksionimin e zyrave të inspektorëve të përgjithshëm, vijimi i procedurës mund të varet nga fakti nëse Departamenti amerikan i Drejtësisë do të hapë apo jo një hetim penal. Nëse kjo nuk ndodh, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm mund të vazhdojë hetimin administrativ, megjithëse përfundimi i tij mund të kërkojë rreth një vit.







Komente
Komento