TIRANE- Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, pritet të lërë mandatin e deputeti në përfundim të diskutimeve dhe votimit nen për nen të buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2015. Duke ju referuar marrëveshjes që dy forcat kryesore në qeveri PS-LSI, morën në fillim të koalicionit për lënien e mandateve nga ministrat, Cani është i vetmi nga kabineti qeverisës që ka ende mandat.

Ndërkohë që 17 ministrat e tjerë të qeverisë lanë mandatin e deputetit pas marrjes së mandatit, ministri i Financave Shkëlqim Cani është i vetmi që mban akoma mandatin e deputetit. Burime pranë Partisë Socialiste bëjnë të ditur se pas kalimit të “Buxhetit 2015” dhe paketës fiskale në seancë plenare, ministri Cani do të dorëzojë mandatin e deputetit për t’i hapur rrugë një tjetër deputeti të ri për të hyrë në Kuvend. Megjithëse i rradhës në listën e kandidatëve të PS-së në qarkun e Dibrës është mjeku Hasan Ceni, mandati i ministrit Cani në këtë qark pritet t’i kalojë të vetmes femër në listë Ezmerina Hoxhës.