Vendimi i Hagës për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së ka shtyrë Partinë Demokratike të Kosovës të kërkojë një qëndrim të përbashkët politik. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se do të takohet me liderët e të gjitha partive parlamentare, ndërsa paralajmëroi se partia është e gatshme të rikthehet në Kuvend nëse situata e kërkon.

Pas mbledhjes së Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, Hamza e cilësoi vendimin e Gjykatës Speciale si të padrejtë dhe tha se ai, sipas tij, dëmton historinë dhe të ardhmen e Kosovës.

"Është një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë, i paqëndrueshëm dhe i pabazuar në fakte. Është një vendim që e dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Besoj se do të takohem me të gjithë liderët e subjekteve politike, sepse kjo nuk është më çështje që i takon vetëm një subjekti politik. Besoj në bashkëpunimin mes partive politike dhe në arritjen e konsensusit të nevojshëm", u shpreh kreu i PDK-së.

Ai shtoi se, megjithëse PDK e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe kishte vendosur të mos merrte pjesë në seanca, zhvillimet e fundit mund të ndryshojnë këtë qëndrim.

"Nëse ndryshojnë rrethanat, duhet të ndryshojë edhe qëndrimi ynë. Nëse ka nevojë, ne do të jemi në Kuvend", deklaroi Hamza.


Lajmi kryesor:

Apelimi i vendimit të Hagës, ish krerët e UÇK-së kanë 30 ditë afat të njoftojnë Specialen! Hamza thërret liderët politikë: Duhet konsensus për reagimin e Kosovës! Veteranët protestojnë të premten