Pas disa muajsh izolimi të plotë, është bërë më në fund e mundur hapja e rrugës që të çon drejt Parku Arkeologjik i Finiqit, një nga destinacionet më të rëndësishme historike në jug të vendit.
Rruga ishte bllokuar që prej reshjeve intensive të muajit nëntor, të cilat shkaktuan rrëshqitje masive dheu në dhjetëra metra gjatësi, duke e bërë të pakalueshme për automjetet dhe duke izoluar zonën për vizitorët dhe banorët.
Megjithëse Bashkia Finiq kishte kërkuar mbështetje nga institucionet përgjegjëse, përfshirë strukturat e mbrojtjes civile, Ministria e Kulturës që administron parkun, si dhe Prefektura Vlorë, nuk pati asnjë reagim konkret për ndërhyrje në terren. Kjo në një kohë kur bashkia ishte përballur paralelisht me probleme të ngjashme në shumë rrugë të fshatrave malorë të territorit të saj.
Për muaj të tërë, vizitorët që dëshironin të shihnin nga afër vlerat historike të Finiqit detyroheshin të ecnin në këmbë përmes monopateve, duke sfiduar terrenin e vështirë dhe mungesën e aksesit.
Zgjidhja erdhi vetëm falë ndërhyrjes së vetë banorëve të fshatit Finiq, të cilët, me mjetet dhe mundësitë e tyre, morën situatën në dorë dhe realizuan hapjen e rrugës, duke rikthyer kështu aksesin drejt parkut.
Komente









