Komisioni Europian ka kritikuar sot vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të mos lejuar rikthimin në sistem të gjyqtarëve serbë të cilët u dorëhoqën në vitin 2022, duke e cilësuar atë si të papajtueshëm me ligjin, procesin e rregullt dhe parimet e sundimit të ligjit.
Në kuadër të largimit kolektiv të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës, edhe gjyqtarët e kësaj etnie dhe stafi i tyre mbështetës, ishin tërhequr nga funksionet e tyre.
Më 15 korrik 2026, ata bënë kërkesë që të riktheheshin në sistem, duke u tërhequr nga akti i largimit katër vite më parë. BE-ja e kishte mirëpritur atëherë vendimin e tyre dhe kishte kërkuar riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.
Por dje, Këshilli Gjyqësor i Kosovës votoi kundër rikthimit të tyre, me 9 vota pro, një kundër dhe një abstenim. Emrat e tyre do t’i dërgohen ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për lirimin nga detyra.
Gjatë mbledhjes, anëtari i KGJK-së, Artan Abazi, kundërshtoi rikthimin e tyre, duke argumentuar se pas rreth katër vitesh jashtë sistemit ata kanë humbur aftësitë profesionale. Ai tha gjithashtu se disa prej tyre janë përfshirë në aktivitete politike dhe e cilësoi rikthimin e tyre si “qesharak dhe të rrezikshëm”.
Në anën tjetër, anëtarja serbe e KGJK-së votoi në mbështetje të rikthimit të gjyqtarëve. Kundër u shpreh edhe anëtari Bashkim Hyseni, i cili e cilësoi rikthimin një precedent të rrezikshëm.
Me herët dhe Këshilli Prokurorial kishte marrë një vendim të ngjashëm, me prokurorët serbë.
Në reagimin e Brukselit, Kosovës i kujtohet se është një shtet multietnik, e se kjo gjë duhet reflektuar dhe në institucionet e saj. Sipas një zëdhënesi të Komisionit europian, akte të tillë bien ndesh me ligjin
BE-ja shpreh keqardhje të thellë për vendimin e djeshëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të pranuar dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të Kosovës, të cilat tashmë ishin tërhequr. Ky vendim pason vendime të ngjashme të marra nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe ushtruesja e detyrës së Presidentit në korrik, lidhur me dorëheqjet e prokurorëve serbë të Kosovës. Këto vendime duken të papajtueshme me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt dhe kërkesat e përgjithshme për sundimin e ligjit në Kosovë. Ato gjithashtu bien ndesh me parimet e një sistemi gjyqësor multietnik, duke dëmtuar besimin e komunitetit serb të Kosovës dhe duke minuar përpjekjet për një rikthim të qëndrueshëm të tij në institucionet e Kosovës" thuhet në reagimin e BE-së.
Brukseli u ka bërë thirrje institucioneve dhe aktorëve relevantë që të krijojnë kushtet për një sistem gjyqësor multietnik, në përputhje me ligjin e Kosovës, procesin e rregullt dhe zotimet e marra në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.








Komente
Komento