Kriza politike në Kosovë mbetet pa zgjidhje, por kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thotë se negociatat me partitë politike do të vazhdojnë për të shmangur një tjetër proces zgjedhor.
Duke folur për gazetarët, Kurti tha se është në komunikim me liderët e partive parlamentare dhe se synimi mbetet arritja e një marrëveshjeje politike që do t'i japë fund ngërçit institucional.
“Jemi në komunikim edhe do të përpiqemi për çdo ditë që ta arrijmë marrëveshjen politike në mënyrë që t’i shmangim zgjedhjet e panevojshme, të paarsyeshme, sepse ato vetëm sa do të përsëriten. U bëj thirrje edhe një herë liderëve të partive të tjera që të diskutojmë e të merremi vesh, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duan zgjedhje, duan zgjidhje. E zgjidhja është marrëveshja politike”, deklaroi Kurti.
Deklarata vjen vetëm 48 orë pasi dështoi edhe tentativa e dytë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Përplasjet mes Vetëvendosjes dhe partive opozitare kanë bllokuar krijimin e institucioneve të reja, ndërsa ende nuk është arritur një marrëveshje politike që do të zhbllokonte procesin.
Për situatën reagoi edhe ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, i cili hodhi poshtë pretendimet se po shkelet Kushtetuta për shkak të zgjatjes së procesit të konstituimit të Kuvendit.
Sipas tij, ekzistojnë interpretime të ndryshme kushtetuese nëse seanca konstituive duhet të përfundojë brenda 24 orëve apo mund të vazhdojë edhe më gjatë.
“Ne nuk mendojmë që është shkelur Kushtetuta. Sipas disa ekspertëve, mund të zgjasë edhe më shumë se 24 orë. Nuk është dramatike qysh po e interpreton opozita, është pjesë e formësimit të mëtejshëm kushtetues të vendit tonë”, u shpreh Konjufca.
Ai shtoi se Kurti nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për dialog me PDK-në, LDK-në dhe Aleancën, duke theksuar se vazhdimi i bisedimeve politike është alternativa më e mirë për të dalë nga ngërçi dhe për të shmangur zgjedhje të reja.
Të shtunën, Kurti kërkoi shtyrjen e seancës, duke argumentuar se ende nuk ishte arritur një marrëveshje me partitë e tjera për zgjidhjen e ngërçit politik. Seanca u ndërpre pa një datë të re, ndërsa gjatë zhvillimit të saj deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë.











Komente
Komento