Violinisti Arben Kadesha dhe pianisti Marin Gjollma sollën në skenën e Arteve koncertin recital për violinë edhe piano “Nostalgji”. Vepra të kompozitorëve të huaj, si Schuman, Debussy, Chopin edhe pjesë shqiptare, “Baladë” nga Pjetër Gaci erdhën përmes lojës së instrumentistëve në Universitetin e Arteve në Tiranë, pas udhëtimit që bënë në Athinë e në Korçë. Violinisti Arben Kadesha, i cili prej vitesh jeton edhe punon në Greqi flet për emocionet e këtij triptiku.
“Sigurisht që përjetuam shumë emocion, përfshirë edhe Athinën e Korçën, e aq më tepër në Tiranë. Mund t’i referohemi shumë repertorit shqiptar në skenat tona, duhet që ndaj repertorit shqiptar vëmendja të jetë më e madhe. Është gjëja më e bukur që ne kemi, mund ti referohemi shumë repertorit shqiptar. Në Greqi pati shumë interes, por deri edhe përlotje nga bashkëpatriotët”, shprehet violinisti Arben Kadesha.
Edhe për pianistin Gjollma ky koncert ka vlera të rëndësishme.
“Këtë vit nisëm një bashkëpunim me violinistin e njohur Arben Kadesha, ishte një nxitje nga ana e tij për të bërë këtë punë me koncertin, që udhëtuam në tre qytete. Të gjithë kompozitorët gjenial, që i quaj profetët e muzikës, e përfaqësojnë artistin në nivele të larta”, shprehet pianist Marin Gjollma.
Violinisti Arben Kadesha ndalet edhe tek lidhja e tij me të birin, Jonian Kadesha.
“Unë kam luajtur rolin tim, si baba edhe mësues, vitet ikin edhe secili ka jetën e vet, por gjithmonë na bashkon Shqipëria edhe Greqia. Ndihem shumë i kënaqur”, shprehet instrumenti Arben Kadesha.
Pianisti Marin Gjollma përfundon se koncertet dhe bashkëpunimet me artistët shqiptarë në Universitetin e Arteve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.