Ish-nënpresidentja amerikane Kamala Harris ka lënë të hapur mundësinë për t’u rikthyer në garën presidenciale në SHBA, duke deklaruar se mund të kandidojë sërish për Shtëpinë e Bardhë.

Në intervistën e saj të parë në Mbretërinë e Bashkuar, Harris u shpreh për BBC se është e bindur që “në të ardhmen do të ketë një grua presidente në Shtetet e Bashkuara”, duke shtuar se “ndoshta ajo” mund të jetë vetë.

Deklarata vjen si sinjali më i fortë deri tani se Harris po mendon të rikandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, pasi humbi garën kundër Donald Trump në vitin 2024.

Ajo shtoi se ende nuk e ka marrë një vendim përfundimtar, por theksoi se e sheh veten ende në politikë.

“Nuk kam përfunduar. E gjithë karriera ime ka qenë në shërbim publik, dhe kjo është në ADN-në time.”

E pyetur nga gazetarja Laura Kuenssberg, Harris u shpreh se paralajmërimet që kishte dhënë për Trumpin gjatë fushatës ishin “të vërtetuara”, duke e cilësuar presidentin republikan si një “tiran”.

Në SHBA, Partia Demokratike ende po përpiqet të analizojë humbjen e thellë të Joe Biden dhe Harris një vit më parë, me shumë kritikë që fajësojnë Biden për mos heqjen dorë më herët.