TIRANE- Pesë anëtarët e komisionit të tenderimit për çështjen e reklamave të ministrisë së Mbrojtjes janë paraqitur ditën e djeshme në prokurori, ku janë marrë në pyetje për të dytën herë. Ish-këshilltari për median Mentor Beqa, ish-nëndrejtori i Qendrës së Kulturës dhe Botimeve të Mbrojtjes Sokol Nezirajn, Nilka Sina,shefe e logjistikës e QKMB si dhe Shkëlqim Berisha, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse dhe Agim Doçi, mësohet të kenë qënë në ambjentet e prokurorisë së Tiranës, ku kanë dhënë deklarime lidhur me tenderat e reklamave që kanë kushtuar 1.2 milion euro.

Pyetja e këtyre personave sipas burimeve të prokurorisë është bërë në kuadër të verifikimit të disa paqartësive dhe krahasimit të tyre me thëniet e ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami i cili është marrë në pyetje një javë më parë.

Së bashku me Imamin në prokurori ka dëshmuar dhe ish-drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, po për kallëzimin e ministrisë së Brendshme të bërë nga Saimir Tahiri.

Imami dhe Hysni Burgaj, janë mbrojtur gjatë dëshmisë së tyre në prokurori, duke përdorur një vendimi të 2008 të Këshillit të Ministrave të nxjerrë nga ish-qeveria Berisha, i cili autorizonte titullarët e ministrive të urdhëronin hapjen e tenderave për spotet publicitare. Dy zyrtarët e lartë, janë shfajësuar para hetuesve se në mbështetje të VKM së miratuar nga qeveria, kanë nxjerrë urdhërin për ngritjen e komisionit, me qëllim shqyrtimin e ofertave për krijimin dhe më pas transmetimin e spoteve publicitare.
 
Shkrimi u publikua në "Shqiptarja.com" (Print) më 07.06.2014

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)