TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme deklaron se prokurorët në rrethe janë udhëzuar të raportojnë çdo ditë në Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me incidentet elektorale si dhe denoncime të tjera në kuadër të kësaj fushate parazgjedhore të 23 qershorit.

Reagimi vjen pak ditë nga letra që kreu i PS-së Edi Rama i dërgoi Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla ku i kërkon ngritjen e një Task Force sa i përket hetimit të incidenteve elektorale dhe përdorimit të administratës në fushatë.

Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur për A1 REPORT se kërkesa e kryesocialistit është shqyrtuar, dhe duke qenë se prej pak ditësh ka hyrë në fuqi e Kodit të ri Penal i cili saktëson se cilat janë incidentet në fushatë, është kërkuar nga të gjitha Prokuroritë e rretheve t'i shqyrtojnë me vëmendje denoncimet që do të bëhen dhe të japin përgjigje në kohë reale.

Gjithashtu strukturat e hetimeve në rrethe janë udhëzuar të raportojnë çdo ditë në Prokurorinë e Përgjitshem për çfarë ka ndodhur në ditën e tyre të punës për sa i përket incidenteve apo hetimeve të denoncimeve të tjera në kuadër të fushatës  elektrorale. 

Prokurori i Përgjithshëm ka kërkuar nga vartësit e tij në rrethe, që të angazhohet një prokuror i posaçëm vetëm me këto çështje dhe të punohet intensivisht dhe me organet e tjera ligj zbatuese për të garantuar një hetim sa më të pavaruar dhe profesional.

Sipas burimeve nga organi i akuzës, përsa i përket ngritjes së një Task Force, kjo pikë e letrës së Ramës është ende në shqyrtim, duke qenë se incidentet kanë ndodhur dhe mund të ndodhin në të gjithë vendin, është menduar që hetimet të bëhen nga prokuroritë e rretheve.
 
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)