TIRANË- Opozita e Bashkuar do të jetë i vetmi koalicion në zgjedhjet parlamentare. Të mërkurën përfaqësuesit e mandatuar nga kryedemokratin Lulzim Basha, partia e të cilit do të jetë udhëheqëse e listës shumëemërore do të dorëzojnë në KQZ kërkesën për t’u regjistruar si koalicion, teksa pritet të zbulohet edhe emri i tij.

Një mundësi është që koalicioni të quhet ‘Shqipëria Fiton’, duke qenë se ky është edhe slogani i PD në këto zgjedhje. Megjithatë, teksa nuk ka mbyllur ende marrëveshjen me Mediun e Idrizin, Basha po kthen sytë nga opozita brenda parlamentit.

Pjesë e koalicionit pritet të bëhet edhe Artur Roshi i Ballit Kombëtar Demokrat , i cili pranoi mandatin e deputetit pasi opozita vendosi djegien e tyre në 2019. Ky i fundit zhvilli një ditë më parë një takim në selinë blu.

Por cilat janë pretendimet e secilës palë?  Agron Duka i PPA ishte i pari që mbylli marrëveshjen me Bashën. Ai do të jetë i treti në listën e Durrësit, ndërsa në të 11 qarqet e tjera do të ketë kandidatë në zonat jo-fituese.

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi ka siguruar një vend të sigurt në listat për deputet në Qarkun e Tiranës dhe po ashtu Nard Ndoka në Shkodër, teksa nuk kanë shprehur pretendime për tu përfaqësuar me emra të tjerë, nisur edhe nga fakti që strukturat e këtyre partive janë gati gati inekzistente.

Mediu dhe Idrizi ende nuk e kanë bindur Lulzim Bashën për kandidatët nga partitë e tyre, teksa i kanë dorëzuar këtij të fundit një listë me emrat që duan të përfshijnë në garën elektorale. Ato kanë pretendime në disa qarqe të vendit, si Tirana, Durrësi, Fieri e Vlora. Për këtë arsye, takimet në selinë blu, zhvillohen thuajse çdo ditë.

Pa një zonë se ku do garojë është edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili pritet të garojë në Vlorë ose Korçë. Ndërsa LSI tashmë e ka vendosur që të dalë me logon e saj në zgjedhjet e 25 prillit.