Aktorja amerikane Brittany Snow ka konfirmuar publikisht fejesën me fotografin dhe drejtorin kreativ Hunter Moreno, duke i dhënë fund spekulimeve që qarkullonin prej më shumë se një viti për marrëdhënien e tyre.

E pyetur drejtpërdrejt gjatë një emisioni nga moderatorja nëse ishte fejuar së fundmi, aktorja 40-vjeçare konfirmoi për herë të parë lajmin.

“E dini çfarë? Për herë të parë, do t'ju tregoj. Po, jemi të fejuar, po. Nuk e kam thënë më parë. Nuk është ndonjë sekret kaq i madh. Dua të them, kujt i intereson?”, u shpreh Snow.

Dyshimet për fejesën nisën në nëntor të vitit 2025, kur kolegia e saj Claire Danes, gjatë një aktiviteti në Nju Jork, e pyeti papritur në tapetin e kuq: “Je fejuar?”, për të vijuar me pyetjen: “Kur ndodhi kjo?”.

Snow tregoi se ajo dhe Moreno nisën të takoheshin gjatë xhirimeve të sezonit të parë të serialit “The Hunting Wives”, në vitin 2024, ndërsa e cilësoi të fejuarin si “më të mirin”.

Aktorja zbuloi gjithashtu se Malin Åkerman e kishte ndihmuar të merrte vendimin për t'i dhënë një mundësi kësaj marrëdhënieje.

“Nuk isha e sigurt dhe Malin ishte një nga personat që më bindi”, kujtoi ajo.

Nga ana e saj, Åkerman tregoi se ishte bindur që në takimin e parë se Moreno ishte personi i duhur për kolegen e saj.

“Ne të gjithë e takuam atë. Ishim të parët që mund ta gjykonim. Dhe sapo e takova, i thashë: ‘Oh, Brittany, ai është i duhuri’. Buzëqeshja e tij që në fillim. Është ajo ndjesia kur takon një person dhe kupton se ka energjinë e duhur për ty”, u shpreh aktorja.