Para Ministrisë e Arsimit, rreth orës 12:30, janë grumbulluar protestuesit e parë. Kjo e diel, 18 tetor, shënon ditën e 6-të të protestave, që kanë kulmuar me akte dhune që vendi nuk i ka parë më herët.
Protestuesit ndryshe nga ditët e kaluara ku dhuna ka qenë që në fillim, sot e nisën me këngë e valle, por shpejt kaloi në sulme. Ky moment që në fillim të protestës shkaktoi lëndimin e gazetares Elira Kadriu që u godit me gur në pjesën e legenit dhe më pas u mor me ambulancë.
Një pjesë protestuesish janë ulur në rrugë, ndërkohë që grup i forcave speciale qëndron përballë tyre, në qetësi.
Prej 5 ditësh Tirana ka përjetuar ditët më të vështira, mes kaosit, shkatërimit dhe dhunës.
Thuajse çdo ditë, nga 13 tetori, përplasjet e nisura paraditeve pranë Ministrisë së Arsimit, i kanë lënë vendin një shpërthimi edhe më të dhunshëm në bulevardin kryesor përpara kryeministrisë.
Të shtunën përplasja ishte edhe më e ashpër. Për orë të tëra policia përballoi një betejë me breshëri gurësh, molotovësh e fishekzjarresh të fuqishme. Blutë janë përgjigjur me pompat e ujit e gazlotsjellës, ndërsa numri i të arrestuarve dhe të shoqëruarve ka kaluar në qindra.
Numri i biznesve të shkatërruara është shumë i madhe, ndërsa një ditë më parë Gjykatës së Lartë iu vu zjarri, së bashki me ish Hotel Dajtin, një nga godinat më të vlerësuara arkitektonike të Shqipërisë.
272 është numri i personave të lënduar gjatë pesë ditëve të protestave në Tiranë, mes tyre efektivë policie, protestues dhe qytetarë që kanë qenë kalimtarë. Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm gjatë protestës së djeshme, më 17 tetor, janë regjistruar 65 të lënduar.
Lajm në përditësim...

Për disa momente, protesta pësoi një tension gjatë të cilit policia ka shoqëruar disa protestues.
Deri tani, policia ka ndërhyrë me ujë e gaz dhe i ka zhvendosur protestuesit nga “Rruga e Durrësit” në kryqëzimin me sheshin “Skënderbej.” Protestuesit janë shpërndarë në disa drejtime, ndërsa policia është tërhequr.

Një tjetër përplasje mes protestuesve që gjuajnë me gurë dhe policisë, e cila është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Protestuesit kanë nisur të vënë edhe zjarre nëpër rrugë dhe të hedhin kapsollë.
Në terren ndodhen 2 makina ujëhedhëse.
Protestuesit e pozicionuar para Ministrisë së Arsimit i kanë hapur rrugën një ambulance pasi gazetarja Elira Kadriu raportohet të jetë lënduar pasi është goditur me gur në pjesën e legenit. Megjithatë, nuk munguan as thirrjet “hape bagazhin.”

Një protestues para Ministrisë së Arsimit është shfaqur duke valëvitur flamurin kuqezi. Aty pranë, disa protestuese hedhin valle para policisë, e cila qëndron në gatishmëri.
Disa protestues kanë shkëmbyer disa fjalë të ashpra me një nga policët brenda autobotit të ujit te Ministria e Arsimit.
-Keni fëmijë ju ore?
-Na vratë ore!
-Jeni shqiptarë a ça jeni? Çfarë janë këta?
Protestuesit e mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë kanë nisur të shkulin pllakat e trotuareve, ndërsa protesta antiqeveritare hyn në ditën e gjashtë.
Është ora 13:20 dhe siç shihet edhe nga pamjet që vijnë nga terreni, disa prej tyre po i grumbullojnë pllakat e shkulura, duke i bërë gati për t'i përdorur kundër forcave të policisë.
Kjo ndodh ende pa nisur përplasjet, ndërsa gjatë pesë ditëve të mëparshme gurët dhe pllakat e trotuareve janë përdorur nga protestuesit për të goditur efektivët e rendit.
Ndërsa pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë po mblidhen qytetarë të shumtë për ditën e gjashtë të protestave antiqeveritare, mes turmës është shfaqur edhe Luiz Ejlli, fituesi i Big Brother VIP Albania. Prania e tij vjen në një kohë kur protestuesit po grumbullohen për të vijuar protestat, të cilat gjatë pesë ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje të dhunshme.
"Mesazhin ia kanë dhënë për 135 ditë, po ia japi edhe këtë ditë të 6të, ca mesazhi tjetër duhet?" dëgjohet të thotë ai










Komente
Komento