Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme kontrollin e linjave të transportit urban, për ofrimin e shërbimit në përputhje me kushtet e vendosura nga Bashkia e Tiranës. Drejtoresha e Përgjithshme e AMK-së, Rudina Hoxha, në një prononcim për mediat, bëri të ditur se janë ngritur grupe kontrolli të cilat po punojnë me dy turne në terren, për të kontrolluar 12 linjat e transportit urban. Si rezultat i kësaj, ka pasur një përmirësim sidomos në respektimin e frekuencave në stacionet e autobusëve.
 
“Kontrolli është fokusuar në 10 kushtet e vendosura nga Bashkia e Tiranës. Janë kushte të cilat të gjitha shoqëritë e transportit që operojnë në territorin e Tiranës i kanë të mirëpërcaktuara në kontratat e tyre. Nga dita e djeshme deri në mesditën e sotme, inspektorët e AMK-së kanë vendosur 46 gjoba”, u shpreh Hoxha.
 
Ajo garantoi se për çdo shkelje të kushteve të vendosura janë marrë masat dhe gjobat përkatëse. “Në momentin e vendosjes së gjobës, inspektorët ua kanë komunikuar këto gjoba përfaqësuesve ligjorë të kompanive të transportit, me qëllim që t’u bëhet e ditur shkelja e vendosja e gjobës dhe njëkohësisht t’u lihen dhe afatet e caktuara, për të korrigjuar këto shkelje mbi bazën e sanksioneve të vendosura”, tha Hoxha.
 
Sanksionet e vendosura nga AMK janë të përcaktuara me nivelet përkatëse të tyre sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak të vitit 2012. “Pas gjithë kontrolleve që po bëhen, janë lënë afatet e caktuara dhe në rast se nuk janë respektuar afatet dhe korrigjimi i këtyre shkeljeve, fillon përshkallëzimi i gjobave me të gjitha nivelet e tyre. Bashkia e Tiranës është e vendosur në këtë monitorim”, deklaroi drejtoresha e AMK. Ajo tha se ky monitorim do të vijojë me këto ritme dhe rezultatet do të jenë transparente për opinionin publik.
 

dokument

Linjat më problematike tha Hoxha janë ajo e Sharrës, Uzina e Traktorit, Mihal Grameno ndërsa Kombinati është mjaft korrekte. Me rritjen e çmimit të biletës Bashkia i ka vendosur 10 kushte shoqatës së tranpsortit duke filluar nga rritja e cilesisë së sherbimit e deri tek pastertia e urbaneve, për të cilat duket se po kerkon llogari

Informacion për kontrollet e ushtruara nga Bashkia e Tiranës lidhur me cilësinë e shërbimit në autobusët e transportit urban nga data 1.2.2016 - 2.2.2016 (deri në ora 11.00 sot):
 
1. Frekuencat dhe orari i fillim/ mbarimit të shërbimit: 4 gjoba (Linja problematike Sharra, Uzina e Traktorit dhe Mihal Grameno);
2. Stacionet e qëndrimit: 7 gjoba (Linjat problematike Unaza dhe Sauku);
3. Shenjat identifikuese të linjave: 6 gjoba
4. Sistemi i ngrohjes: 9 gjoba (Linja problematike Sauku dhe Uzina e Traktorit)
5. Pastërtia e mjeteve: 7 gjoba (Linja problematike Porcelani, Sauku dhe Uzina e Traktorit)
6. Uniformat e personelit: 4 gjoba (Linja problematike Sauku dhe Tirana e Re)
7. Komunikimi i personelit dhe dhënia e biletave: 2 gjoba (Linja problematike Kombinat-Kinostudio dhe Mihal Grameno)
 
Gjithashtu, janë vendosur gjoba edhe për mosrespektim të kushteve të kontratës të shërbimit (këtu vlera e gjobës është më e lartë dhe shkon deri në 100.000 lekë të reja), si dhe 6 gjoba për mosplotësim komoditeti, si sedilje dhe dysheme e dëmtuara, xhama të thyer etj. (Linja problematike Unaza dhe Sauku)
 
GJITHSEJ: 46 gjoba me vlerë 386.000 lekë (të reja).
 
Ndërkohë, AMK-ja është në proces monitorimi edhe përsa i përket tregtimit të aboneve nga operatorët, pasi ka pasur ankesa nga qytetarët lidhur me abonetë e studentëve.
 
Redaksia online
(s,m/shqiptarja.com)